Vuçiqi vazhdon me provokime, poston një video nacionaliste kushtuar Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka postuar në Instagram një video provokuese nga festa e tij pas shpalljes së fitores së djeshme në zgjedhjet lokale. Aty shihet djali i tij Danilo, duke i kënduar këngë nacionaliste Kosovës.

Në videon e publikuar nga Vuçiq, shihet një grup gazmor i ulur në një tavolinë me ushqime të bollshme. Të mbledhurit këndojnë këngën “Jam djalë nga Kosova”.

“Kam lindur atje poshtë, ku rrjedh ëndrra, jam një djalë nga Kosova, jam krenar për të, kam lindur atje, atje do të mbetem, o bozhur, o simbol, fushat e Kosovë”, thuhet në tekst.

“Djali im Danilo dhe vëllezërit e mi, Rroftë Serbia”, ka shkruar Vuçiq.

Zgjedhjet lokale u mbajtën në 89 qytete dhe bashki. Listat rreth Partisë Progresive Serbe (SNS) fituan në Beograd, Nish dhe Novi Sad.

Të gjitha listat e SNS-së dhe partnerëve të saj të koalicionit në zgjedhjet lokale mbanin emrin e Presidentit të Serbisë – “Aleksandar Vuçiq – Serbia nesër”, të cilin opozita e pa si keqpërdorim dhe konflikt interesi, duke qenë se Kushtetuta e përcakton kreun e shtetit si president të të gjithë qytetarëve.

Zgjedhjet lokale në Serbi u përsëritën pas atyre të dhjetorit pas akuzave për vjedhje votash dhe pamundësi për të krijuar një kuvend të qytetit dhe një pjesë e opozitës bojkotoi zgjedhjet e djeshme. Dita e zgjedhjeve u shënua me incidente në qendrat e votimit, nga qendra e thirrjeve të SNS-së, gaz lotsjellës, përplasje e deri tek pagesa e qytetarëve për të votuar për SNS-në dhe sjellja e njerëzve në qendrat e votimit me autobus.