Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka treguar se gjithçka po shkon në rregull gjatë procesit të votimit në komunën e Bujanocit.
Kamberi ka theksuar se dy ditët e fundit ka telefonata me numra të panjohur në gjuhën serbe për të votuar një listë të tyre, pas të cilave dyshohet të qëndrojnë përfaqësues të organeve shtetërore.
“Informacionet që kam deri tani, procesi po shkon në rregull, janë hapur vendvotimet, nuk është hasur asnjë problem dhe pres që gjatë gjithë ditës kështu të shkoj. Sa i përket ndërhyrjeve në proces zgjedhor, Serbia është një vend i cili tashmë është karakterizuar dhe është legjitimuar në një formë edhe me një rezolutë të parlamentit evropian nga një vend në të cilin ndërhyrjet në zgjedhje janë të shpeshta. Kemi pasur dy ditët e fundit ndërhyrje telefonike në formë të këshillave, sugjerimeve, të votojmë për një listë këtu dhe këshillat vijnë në gjuhën serbe nga telefonata me numër të panjohur”, tha ai.
Tutje, ai tha se “Dyshimi jonë është se janë këta përfaqësues të organeve shtetërore që mundohen të ndërhyjnë në procesin zgjedhor, por besoj popullata jonë nuk do të bie pre e atyre ndikimeve”.
“Është me rëndësi për Bujanoc që të gjithë shqiptarët në çdo vendbanim t’i përgjigjen ftesës për zgjedhje të votojnë për kandidatët e vet dhe në një formë ta verifikojmë atë që dy vite më parë -përcaktuam regjistrimin e popullsisë, që shqiptarët janë shumicë në këtë komunë dhe besoj se do të ketë një shumicë të re të ndërtuar prej partive politike shqiptare”, ka thënë Kamberi.
Kandidati për kryetar të Bujanocit nga Alternativa për Ndryshim, Arbër Pajaziti ka thënë se qytetarët e Bujanocit kanë nevoja elementare, pasi shumica ballafaqohen me shkeljen e të drejtave elementare të njeriut.
“Qytetarët e Bujanocit kanë nevoja elementare, sepse shumica prej tyre ballafaqohen me shkeljen e të drejtave elementare të njeriut edhe me probleme tjera bazike siç është uji i pijshëm, infrastruktura dhe gjëra të tilla. Ka probleme shumë për shqiptarët në Serbi. Andaj do të angazhohemi në të gjithë instancat shtetërore e ndërkombëtare që këtë të drejtë t’ia sigurojmë qytetarëve tanë”, ka thënë Pajaziti.
Kandidatë për kryetar të Bujanocit janë edhe Ragmi Mustafi nga Partia për Veprim Demokratik, Nagip Arifi, kryetari i Partisë Demokratike (PD), njëherësh kryetari aktual i komunës dhe Shqiprim Musliu nga Lëvizja për Progres Demokratik (LPD).