Kurti përplaset sërish me Perëndimin/ Refuzon draftin europian për asosacionin, nuk e çon në Kushtetuese

Qeveria e udhëhequr nga Albin kurti del hapur dhe zyrtarisht kundër versionit evropian për asociacionin në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se qeveria nuk është dakord me propozimin aktual edhe për këtë arsye nuk e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk është pajtuar në tërësi me atë material dhe ka dorëzuar komentet e veta, të cilat nuk janë marrë parasysh. Prandaj ne duhet të kemi një dokument, i cili ka jo vetëm vulën e qeverisë, por edhe të gjithë mbështetjen. mendoj se të gjithë duhet të kenë të qartë se e para janë obligimet ndërkombëtare që Kosova i ka, dhe e dyta, ata nuk mund të insistojnë në diçka që pastaj brenda Kosovës mund të shkaktojë probleme.”

Në këtë mënyrë qeveria Kurti refuzon kërkesën e zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së, të cilët në mënyre të përsëritur i kanë bërë thirrje Kurtit të lejë institucionin e drejtësisë të jap fjalën e fundit.

Përplasjet zyrtare me perëndimin vijnë ne nje moment delikat për rajonin dhe për kosovën vete. Kjo pasi iu bllokua serish anëtarësimi ne KiE pikërisht për shkak te refuzimit për të pranuar asociacionit.

Por edhe në këtë rast, qeveria Kurti i drejton gishtin si fajtor Bashkimit Evropian.

“Shpresoj të ketë reflektim serioz nga vendet anëtare, por edhe në aspektin tjetër Kosova është e vetëdijshme çfarë po i kërkohet apo çfarë më pastaj u bë kusht në Këshillin e Ministrave, përkundër që ne asnjëherë nuk jemi tërhequr nga obligimet që janë trashëguar prej marrëveshjeve të mëhershme. Ato duhet të jenë konform Kushtetutës së vendit dhe funksionalizimit të mirëfilltë të shtetit”.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk u përfshi në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, që u mblodh para disa ditësh.