Nënsekretarja Amerikane e Shtetit mesazh për dialogun nga Beogradi – tregon çfarë do t’i kërkojë Kosovës

Nënsekretarja Shtetit për Diplomacinë Publike, Elizabeth M. Allen, gjatë vizitës që po zhvillon në Serbi ka dhënë një intervistë për RTS ku është pyetur, ndër të tjerash, edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se e mbështet dialogun e lehtësuar nga BE.

Allen po ashtu ka theksuar se mirëpresin reformat dhe progresin e bërë në dialog, por ka shtuar se nevojitet më shumë përparim.

“Është një mënyrë për të bërë progres në çështjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ne jemi vërtet të kënaqur të shohim përparimin e arritur nga Serbia. Ne mirëpresim reformat dhe progresin e bërë në atë dialog. Gjithashtu, ne duhet të shohim më shumë përparim. Dhe kjo përfshin Kosovën.”

Kur u pyet se a mund “ta shtyjnë pak më shumë” Kosovën, Allen tha se do t’i shprehë pritjet e saj nga Kosova.

“Unë do t’i shpreh qartë pritjet tona nga Kosova. Dhe siç thashë, ne presim që ata të përparojnë përmes atij dialogu.”

Në Kosovë nënsekretarja Allen do të takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.