Kosova jashtë KiE, Mujanoviq: BE po çon ujë në ‘mullirin’ e Vuçiqit

Politologu boshnjako-amerikan, Jasmin Mujanoviq, ka reaguar pasi Kosova mbeti jashtë agjendës së Këshillit të Evropës, duke thënë se në rast se demokracitë evropiane nuk e pranojnë Kosovën në Këshillin e Evropës, ato nuk do të mbrojnë “të drejtat e pakicave”.

Sipas tij, BE-ja kësisoj po çon ujë në ‘mullirin’ e autokratit Aleksandër Vuçiq.

“Nëse demokracitë evropiane nuk e pranojnë Kosovën në Këshillin e Evropës, ato nuk do të mbrojnë ‘të drejtat e pakicave’. Në vend të kësaj, ata do të çojnë ujë për regjimin satelitor kryesor të Putin në Evropë, autokratin Vuçiq”, ka shkruar ai në X, transmeton Telegrafi.

Në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave, sipas ueb-faqes zyrtare të KiE-së, nuk u përfshi votimi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

Kosova veçse ka kaluar dy faza në procesin e pranimit në këtë organizatë, dhe Komiteti i Ministrave është ai që vendos nëse një shtet do të pranohet ose jo në Këshillin e Evropës.

Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete vendosën kusht që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg. /Telegrafi/