Ryshen Inan, me prejardhje nga Mitrovica, ishte vetëm 3-vjeçar e gjysmë kur familja e tij emigroi nga Kosova në Turqi. Prej 42 vitesh, Rysheni, që në Kosovë e kishte emrin Luan, punon si avokat.
Në zyrën e tij, Rysheni rrëfen për të kaluarën e tij familjare.
“I kam pasë veç tri vjet e gjysmë kur jam ardhur me familje në Turqi, në Stamboll. Familjen e kam prej Hasit të Rogovës, rrënjët i kemi prej Hasit të Rogovës” – nis rrëfimin e tij Rysheni.
Në rrëfimin e tij plot emocione, avokati nga Stambolli thotë se të gjitha shkollim, përfshirë universitetin, e ka të kryer në Turqi.
“Krejt familja janë në Kosovë. Nanën, gjyshin këtu i kam pasë. Ama krejt tjerët familja po rrënojnë në Kosovë dhe Kosovën shumë po e dojnë” – tregon Rysheni.
“Pleqtë që janë ardhur, ata po thonë që atëkohë shumë kanë bërë zullum (Serbia v.j.), ma mirë me jetu, më shumë me përparu. Veç edhe ata që janë ardhur këtu, zemrën e kanë pasur atje” – vazhdon ai.
Rysheni tregon, pak a shumë, edhe bindjet politike të tij, të cilat mund të cilësohen lehtësisht si “shqiptaromëdha”.
“Ne nuk i ndajmë, shqiptarët janë shqiptarë. Edhe Kosova, edhe Shqipëria, edhe Maqedonia, edhe Çamëria, edhe Mali i Zi është tokë e shqiptarëve, e Shqipërisë” – thotë Rysheni, ndërsa pyetet për Shqipërinë e Madhe, një endër e nacionalistëve shqiptarë.