Nuk janë të pakta rastet kur Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka ngatërruar flamujt e shteteve në postimet që ajo i bën në rrjete sociale. Por Gërvalla duket se një huqje të tillë, e ka bërë edhe kësaj radhe me letrën e dërguar KiE’së, ku zotohet që do ta çojë një draftstatut të Asociacionit të punuar nga vetë Qeveria në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas deputetit të LDK’së, Arben Gashi, veprimi i Gërvallës është veprim i gabuar politikisht dhe taktikisht, kjo pasi që ministrja e ka dërguar letrën te personi i gabuar pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka kaluar votimin për Kosovën.
“Letër e çuditshme nga kuptimi përmbajtjësor dhe procedural. Kjo letër dërgohet pasi Kosova ka mbetur jashtë diskutimit të Komitetit të Ministrave. Problemi i dytë është që kjo letër i drejtohet personit të gabuar. Asambleja Parlamentare e ka kry punën e vet, nuk ke pse t’i thuash atij për Asociacionin. Një përgjigje natyrale e kryetarit të Asamblesë Parlamentare do të ishte ‘pse ma ke dërgu një letër mu’, kur kjo është jashtë fushës së Asamblesë Parlamentare. Raporti i Asamblesë Parlamentare nuk parasheh kërkesën për themelimin e Asociacionit. Pastaj problemi i tretë është deklarimi se do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të muajit. Pse është lënë deri në fund të muajit kur është ditur qe gjashtë muaj që mbledhja e Komitetit të Ministrave do të mbahet më 16 dhe 17 maj. Është veprim politikisht dhe taktikisht i gabuar dhe humbje për Kosovën. Kosova e ka humbur mundësinë që të merret vendim pozitiv për të në Këshill të Evropës”, ka thënë Gashi gjatë hyrjes në Kuvend.
Gërvalla të enjten ia ka drejtuar një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, duke thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit, në përpjekjen e fundit që Kosova të përfshihet në agjendën e Komitetit të Ministrave më 17 maj për t’u votuar anëtarësimi në Këshillin e Evropës.