Shqiptari flet nga Meka: Udhëtova 41 ditë me biçikletë, ia dola me sukses

Rreth 40 ditë më parë, çiklisti Qamuran Hirda tha në një intervistë për “Good Morning Albanians” se ai kishte nisur një sfidë me veten, të shkonte me biçikletë nga Shkupi në Mekë.

Ai kishte parashikuar që ky udhëtim të shkonte rreth 1 muaj, por zgjati rreth 41 ditë. Ditë pas dite ai ka publikuar edhe foto të veçanta nga ky udhëtim që bëhet veç një herë në jetë. Këtë të martë ai ka folur sërish për Euronews Albania ku ka treguar disa përjetime nga kjo eksperiencë.

“Sot ju them mirëmëngjesi nga Meka e bekuar në Arabinë Saudite. Si udhëtim ishte shumë i kënaqshëm, kam kaluar shumë mirë, megjithëse normale ka pasur edhe sfida të rënda dhe vështirësi, por ato duhet ti kalonim që të vinim deri këtu. Mua mu desh shumë parapërgatitje për këtë udhëtim të gjatë.

Kam bërë përgatitje fizike por edhe shumë përgatitje psiqike, pasi është udhëtim i gjatë dhe mund të dalin gjëra të papritura. Por falë Zotit gjithçka ka shkuar në rregull”,-tha Qamuran Hirda.