Takimi i kryeministrit me emigrantët në Athinë në shënjestër të mediave greke, Rama: Fryma e atdheut e thellë mes shqiptarëve të Greqisë

Padyshim që takimi I kryeministrit Edi Rama dje me emigrant shqiptarë në Athinë, ka bërë jehonë në mediat greke. Protothema.gr i ka kushtuar sërish një artikull Ramës, dhe reagimeve të tij të para për takimin në fjalë.

Rama bëri dy postime në Facebook pas festës parazgjedhore që organizoi në stadiumin e mbyllur ‘Galatin’ mëngjesin e së dielës. Në postimin e parë, zoti Rama, me këngëtarët Noizy dhe Era Rusin në krah që hapën aktivitetin, shkruan “faleminderit nga zemra” për bashkatdhetarët e tij që ndodheshin në Galatsi, duke thënë ndër të tjera, që “përjetova në çdo qelizë frymën e thellë të atdheut mes shqiptarëve të Greqisë” por duke dërguar mesazhin se Shqipëria dëshiron të ecë drejt një “realiteti të ri vëllazërimi, rendit europian dhe paqes në bashkëpunim me Greqinë”. Në postimin e tij të dytë, kryeministri shqiptar rendit gjithsej 69 foto të “një ditë të paharrueshme shqiptare”.

Në fjalën e tij, Edi Rama bëri referenca të gjera për vështirësitë me të cilat përballen ata që emigruan – sidomos në vitet e para – në Greqi, ndërsa siç pretendoi ai nuk erdhi për të provokuar. Në fjalën e tij ai theksoi gjithashtu se pavarësisht tensioneve mes dy vendeve, po diskutohet për marrëveshjet e pensioneve me Greqinë. Edi Rama ka hyrë në sallë nën tingujt e himnit kombëtar shqiptar dhe është duartrokitur nga turma duke brohoritur “Edi, Edi”. Aktiviteti u hap nga këngëtarët Noizy dhe Era Rusi. Rama u parapri nga tetë folës. Mes tyre ministrja e Shtetit e Shqipërisë Eliza Spiropali, e cila ndër të tjera tha se kur ra regjimi komunist në Shqipëri “Greqia ishte aty, grekët bujarë ndanë bukë e kripë me ne”.

Pas fjalës së tij dhe i pyetur për marrëdhëniet greko-shqiptare një vit pas arrestimit të Fredi Belerit, Edi Rama tha se “nuk ka asnjë çështje, nuk ka histori për ne. Kjo është historia e politikës greke. Nuk është historia jonë dhe nuk ka të bëjë fare me ne”. “Shpresoj se do të arrijmë të bëjmë diçka që përputhet me marrëdhënien fantastike mes njerëzve të zakonshëm të Greqisë dhe Shqipërisë. Ata e meritojnë të jenë më të mirë dhe ne duhet t’u japim politika shumë të ndryshme”, përfundoi kryeministri shqiptar duke folur për Star.
(BalkanWeb)