Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim tri partitë opozitare me arsyetimin që për të diskutuar për agjendën legjislative. PDK-ja do të dërgoj shefin e partisë Memli Krasniqi ndërkaq LDK dhe AAK kanë refuzuar.
Të rralla janë momentet kur liderët e partive opozitare thirren të marrin pjesë në takime me kryeministrin Albin Kurti.
Ftesa ndonëse iu ka shkuar të gjithëve në një darkë pune në lidhje me përmbushjen e agjendës legjislative për sezonin pranveror në Kuvendin e Kosovës, asaj pozitivisht për pjesëmarrje iu përgjigj personalisht vetëm Memli Krasniqi ndonëse LDK e AAK, kanë thënë se me këto tema merren shefat e grupeve parlamentare e jo liderët partiak.
Por refuzimet për takim të liderëve të partive opozitare po shihen si krejt normale.
Sipas ish-diplomatit Blerim Canaj, Kurti ka qenë lideri i vetëm që për asnjë temë nuk ka gjetur konsenus me partitë në Kosovë.
“Është hera e parë që një lider politik për tema të mëdha shkon i vetëm në takim. Më herët qysh prej Rambujes, gjithmonë kanë shkuar të bashkuar. Tani kur Kurti e përfundoi çështjen e zotimit në Bruksel dhe i vije aneksi i Ohrit ku e pranon Asociacionin, të flitet me partitë opozitare është sikur përpjekje me shpërnda përgjegjësinë e sidomos kur e dimë që jemi në një vit zgjedhore”, ka thënë për Dukagjinin ish-diplomati, Blerim Canaj.
Por mendim ndryshe, ka Visar Xani, njohës i çështjeve politike.
“E dimë që në të kaluarën kur ka pas një konsensus politike dhe koordinim mes palëve ka pas rezultate pozitive për Kosovën, ndërsa tash kemi çorientim dhe nuk ka bashkërendim prandaj rezultatet janë më të vogla për Kosovën. Prandaj mendoj që duhet të kenë më shumë takime të tilla e të shtyra qoftë nga Presidenca apo kryeministri i Kosovës”, tha Visar Xani, analist politik.
Takimi është planifikuar të mbahet të hënën në ora 18:30.