Ish-inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani ka ngritur alarmin se eksponentë të ndryshëm në Serbi po mundohen ta përgatisin opinionin publik ndërkombëtar për ndonjë “invazion” të mundshëm të Serbisë në Kosovë.
Ramadani përmes një postimi në rrjete sociale ka treguar se një regjisor serb i filmit përmes një video-propagande në fakt po publikon planet serbe për Kosovën.
“Boris Malagurski, një regjisor serb i filmit, në fakt po publikon planet serbe në Republikën e Kosovës. Operacionet ndikuese nga shërbimet e sigurisë së Serbisë nëpërmjet një artisti – me qëllim përgatitjen e opinionit publik perëndimor”, ka shkruar Ramadani.
Ramadani megjithatë ka thënë se Ushtria Serbe nuk do të ketë kurrë forcën për të ri-kryer krime në Kosovë.
Boris Malagurski përmes një videoje propaganduese në platformën X me mbishkrimin “po sikur ushtria serbe të kthehet në Kosovë” ka tërhequr një paralele mes rastit të Kosovës dhe atij të Karabakut.
Ai thotë se Azerbajxhani e rimorri Karabakun pas dhjetë vitesh nën administrimin armen, duke pretenduar se një gjë të tillë mund të bëjë edhe Serbia me Kosovën.
Megjithatë për informim të publikut rastet janë krejtësisht të ndryshme.
Asnjë shtet në botë nuk e kishte njohur Karabakun si pjesë të Armenisë.
Gjithashtu në Karabak nuk ka pasur ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare si ajo që bëri NATO mbi Serbi në vitin 1999./Telegrafi/