E refuzuan Abdixhiku e Haradinaj, deklarohet Kurti: Mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku

Lidhur me ftesat ndaj krerëve të partive opozitare për takim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i interesuar që të takohet me të gjithë.

Kurti ka thënë se ka qenë i hapur gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë njësoj edhe në vitin e fundit të qeverisjes.

“Jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm. Këtë e kam treguar edhe në të kaluarën dhe do ta tregojë edhe në ditët, javët e muajt në vijim, tash që kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës”, ka thënë Kurti për televizionin lokal të Prizrenit Tv Besa.

Ndryshe, vetëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka pranuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, që pritet të mbahet ditën e hënë.

“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka theksuar  Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar të vonuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për takim për agjendë legjislative.

“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhet në letrën e Abdixhikut.