“Dal në treg e kthehem me duar në xhepa”, “A i kontrollon kush çmimet?”

“Prapë janë rritur çmimet…”, thotë Hysen Sylejmani, teksa shëtit nga tezga në tezgë në Tregun e Gjelbër të Prishtinës.

“Shumë herë dal në treg për t’u furnizuar me produkte ushqimore, por kthehem në shtëpi me duar në xhepa. Më duhet të blej edhe disa pemë e perime – domate, tranguj, por nuk e di…”, thotë pensionisti rreth 80 vjeç.

Të fundit – për muajin mars – tregojnë se çmimet e konsumit janë më të larta për 2.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Vetëm prodhimet bujqësore, ndërkaq, janë më të shtrenjta për 5.3 për qind.

Çmimet, megjithatë, duket se ndryshojnë dukshëm varësisht lokacionit dhe dyqanit ku shiten produktet.

Në Prishtinë, ekipi i REL-it vërejti çmime të ndryshme të produkteve të njëjta në disa raste – më të larta në dyqane, më të lira në treg.

Në Tregun e Gjelbër, një kilogram domate mund të blihej me 1 euro, ndërsa në disa dyqane të kryeqytetit çmimi i tyre shkonte deri në 2.15 euro.

Te specat, dallimi ishte nga 1.30 euro në treg në mbi 3 euro në dyqane, ndërsa te qepët nga 0.50 euro në 1 euro.

Këtë dallim thotë se e ka vërejtur edhe Elvane Berisha, e cila po furnizohej në Tregun e Gjelbër të Prishtinës.

“Unë jetoj në Breg të Diellit. Në dyqane çmimet janë katastrofë, dy-tre fish më të larta”, thotë ajo.

Pensionistja 67-vjeçare thotë se është me fat që e ndihmojnë fëmijët, sepse me pensionin që merr – 260 euro në muaj – druan se nuk do t’ia dilte.