Nga: Arta Berisha & Enver Robelli (koha.net)
“Në Tiranë na priti Lindita Aliu, vajza e profesorit Ali Aliu”, rrëgen Gajtani
Në vjeshtën e vitit 1991, një grup patriotësh nga Kosova morën avionin nga Shkupi në Zürich, pastaj vajtën në Trieste dhe nga atje me anije në Durrës. U vendosën në fshatin Surrel afër Tiranës, ku u përgatitën për të luftuar për çlirimin e Kosovës. Njëri nga pjesëmarrësit e këtij aksioni, Faton Gajtani, i cili jeton në Gjermani, kujton atë periudhë tri dekada më vonë.
Si e kujton kohën kur je bërë pjesë e organizimit ushtarak për të shkuar në Shqipëri?
Gajtani: Kemi qenë të rinj. Tash është problematike të vlerësohet ajo kohë, pra koha para themelimit të UÇK-së, sepse kanë reflektuar si krahu ushtarak, ashtu edhe lëvizjet e tjera. Ndoshta kemi mundur të organizohemi më mirë, mirëpo është vështirë të vlerësohet nga kjo perspektivë. Atëherë kemi vendosur në mënyrë instinktive, secili prej nesh.
Na e përshkruaj atmosferën kur ke vendosur të bëhesh pjesë e projektit të organizimit ushtarak? Sa vjeç ke qenë? Cilat kanë qenë kontaktet e para?
Gajtani: Kam qenë 25-vjeçar dhe studioja gjuhë dhe letërsi angleze. Sa i kisha dhënë disa provime, fitova kushtin për vitin e katërt, mirëpo ndërkohë autoritetet serbe na i ndërprenë të gjitha aktivitetet në fakultet, u aplikuan “masat e dhunshme”. Pastaj takoheshim me kolegë e shokë, studentë, ishim vazhdimisht në korzonë e atëhershme të Prishtinës. E kemi pasur një vend përballë Hotelit Grand ku rrinim, në anën tjetër, në hotel, rekrutoheshin paramilitarët e politikanit ultranacionalist serb Vojisllav Sheshelit. Atmosfera ka qenë shumë e tendosur. U organizua përvjetori i Betejës së Kosovës, policia ishte vazhdimisht e armatosur, shëtisnin me armë dhe helmeta. Gjatë rrugës ndodhte që policët të të ndalnin dhe të të pyesnin pse më shikon dhe pastaj na maltretonin.
A ke pasur ndonjë përvojë represioni me policinë serbe?
Gajtani: Unë personalisht jo, por i kam parë shpesh të tjerët që kanë pësuar.
Si është quajtur vendi kur rrinit përballë “Grandit”? Ka qenë lokal?
Gajtani: Jo thjesht, ka qenë korzo…
Pra, nga korzoja e keni këqyrur atmosferën se çka po ndodh me trupat e Sheshelit?
Gajtani: Po, ne bisedonim, shkëmbenim informata, flitej ashiqare ajo punë, rrinim çdo mbrëmje. Korzo atëherë ka qenë aty ku sot është sheshi “Zahir Pajaziti”. Ka qenë njëfarë rrethi me disa pemë, kurse ne shkëmbenim informata, këqyrshim çka po ndodh, edhe në ajër ndihej se situata shkonte duke u vështirësuar. Nëpër fshatra ndodhnin incidente, sulmoheshin familje vetëm sepse dikur kishin pasur ndonjë konflikt me serbë.
Cilët kanë qenë njerëzit e parë me të cilët ke diskutuar për situatën, represionin dhe rezistencën e armatosur?
Gajtani: E kam pasur një shok të ngushtë me të cilin kemi studiuar. Ai jetonte në fshatin Bardhosh, quhet Shemsi Zeqiri, tani jeton në Stuttgart të Gjermanisë. Me të kemi qenë vazhdimisht bashkë dhe ai e ka pasur ofertën i pari, prej disa shokëve atje. Mandej është marrë vesh kush është koordinatori në Kosovë, i cili ka rekrutuar njerëz, djem të rinj, të cilët kanë pasur vullnet të marrin pjesë në këtë ndërmarrje. Shemsiu më ka thënë se ekziston një rast për ushtrime ushtarake, a je i interesuar? Kemi qenë shumë të hapur me njëri-tjetrin, nuk kemi pasur sekrete, kemi qenë bashkë gjithë ditën. Ose në studime, korzo, bibliotekë. Pra, ideja ishte e Shemsi Zeqirit, dhe vetëm ne të dy e kemi diskutuar këtë çështje. Pastaj jam përgjigjur pozitivisht dhe Shemsiu i ka përcjellë informatat më tutje dhe është verifikuar se kush jam, aq sa kanë mundur të verifikojnë, pastaj e kam marrë vesh se kush ka qenë koordinator për këtë ndërmarrje. Ka qenë Xhafer Zejna. Faktikisht, Xhafer Zejna me tërë familjen ka qenë i angazhuar në këtë organizim.
Na trego për hapat e ardhshëm: kur jeni bërë bashkë, ku keni shkuar?
Gajtani: Jemi takuar së pari ata që kemi pasur idenë të nisemi. Pastaj nga shtëpia ime kam shkuar te Shemsiu dhe kemi vazhduar te stacioni i autobusëve të Xhamia e Llapit. Aty ka dalë na ka marrë Xhafer Zejna dhe me Xhaferin kemi shkuar mbrapa Xhamisë së Llapit, ku ka qenë një çajtore. Aty jemi takuar me të tjerët të cilët janë nisur nga Prishtina, sepse jo të gjithë janë nisur nga Prishtina. Aty kam takuar Adem Jasharin dhe disa të tjerë. Nuk e kam njohur Adem Jasharin, por që atëherë figura e tij më ka rënë në sy menjëherë.
Domethënë, kur keni hyrë në lokal nuk e keni ditur që po e takoni Adem Jasharin?
Gajtani: Unë e kam njohur Shemsiun, kaq. Për të tjerët nuk jam interesuar menjëherë. Ka qenë ndërmarrje e rrezikshme. Nga aty, jemi shpërndarë nëpër vetura, pastaj njëra nga veturat, një Opel Ascona të kuqe, është përmendur kur më kanë nxjerrë para gjyqit, por vetura nuk është gjetur kurrë nga policia serbe. Me Xhafer Zejnën dhe të tjerët jemi takuar në aeroportin e Shkupit. Kemi qenë persona të ndryshëm nga Prishtina, Llapi, Drenica, grupi i Adem Jasharit me Sahit Jasharin, i cili ka pasur probleme me pasaportë, sepse e ndali policia e Shkupi. Pastaj hipëm të gjithë në aeroplan, gjithë aeroplani ka qenë me njerëz të grupit tonë. Atëherë mund të udhëtonim pa viza. Të gjithë kemi aterruar në Zürich.
Kush ju ka pritur në Zürich?
Gajtani: Në Zürich kanë qenë Fatmiri (mbiemri nuk më kujtohet), pastaj Ymer Berisha, Zymer Berisha, Xhaferi e Zymeri janë vëllezër. Kanë qenë direkt të kyçur në organizim. Aty jemi grumbulluar të gjithë Ka pasur edhe nga Zvicra dhe në Zürich jemi nisur me autobusë drejt Italisë.
Domethënë, sapo keni zbritur në Zürich keni vazhduar rrugën?
Gajtani: Po. Jemi nisur për Trieste të Italisë veriore, mandej me traget drejt në Durrës. Në Shqipëri na kanë pritur oficerët e sigurimit të Shqipërisë së atëhershme dhe na i kanë mbledhur pasaportat dhe kemi hipur nëpër autobusë dhe kemi marrë rrugën drejt Tiranës, në Surrel. Surreli ka qenë një vend i vogël, kazerma ushtarake e Ushtrisë së Shqipërisë. Aty kemi qëndruar një muaj dhe kemi zhvilluar ushtrime nën mbikëqyrjen e ushtrisë shqiptare. Qëllimi fillimisht ka qenë të përgatitemi për të vëzhguar terrenin. Gjatë ushtrimeve kemi përgatitur objekte të vëzhgimit, kamuflimin afër armikut, pra qëllimi ka qenë vëzhgimi i vijave të armikut dhe qëndrimi në mes të dy vijave, sa më afër vijave të armikut, marrja e informative etj.
Image
A keni pasur kontakt me ndonjë politikan të Kosovës në Tiranë?
Gajtani: Në Tiranë e kemi takuar Lindita Aliun, ajo ka qenë asistente jona, kemi pasur raporte të mira me të, unë dhe Shemi, ajo është profesoreshë dhe e bija e profesor Ali Aliut, ai atëbotë ka qenë shef i zyrës së Kosovës në Tiranë. Në përfaqësinë e Kosovës në Tiranë e kemi takuar Salih Çekajn, ku kemi biseduar për rrethanat dhe për kalimin e kufirit drejtpërdrejtë prej Shqipërisë në Kosovë. Në grupin tonë ka qenë edhe Adem Jashari. Ne kemi qenë 52 pjesëtarë të të gjitha trojeve shqiptare, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Kemi qenë të ndarë në skuadra, Adem Jashari në një, unë të tjerë në një tjetër, jemi ndarë për shkak të aplikimit më të lehtë të ushtrimeve. Ka pasur edhe të tillë që nuk e kanë pasur të kryer shërbimin ushtarak. Unë e pata kryer shërbimin në ushtrinë jugosllave.
A të kujtohen oficerët e ushtrisë së Shqipërisë?
Gajtani: Kanë qenë oficerë me eksperiencë, për shembull Kastriot Hoxhaj, i cili nuk është më në jetë, ka vdekur para disa muajve. Ylli Mici, me të takohemi shpesh. Më kujtohen edhe emra të tjerë, Hyseni me përvojë në luftën e Vietnamit, Qenani, Sinani, Spartaku edhe oficerë të Sigurimit.
Pas katër javësh keni vendosur të ktheheni në Kosovë. Si jeni kthyer?
Gajtani: Secili është pyetur a është i gatshëm të kthehet. Të gjithë ne që kemi pranuar, kemi pasur nga një detyrë, disa kanë bartur edhe armatim dhe municion. Na kanë transportuar me minibusë në veri të Shqipërisë dhe përgjatë udhëtimit kemi pasur edhe probleme. Na janë prishur automjetet, kemi pasur një udhëtim të gjatë, dikur na ka zënë nata dhe nuk kemi mundur ta kalojmë kufirin ashtu siç kemi planifikuar. Po ashtu ka pasur edhe informata nga ana e Kosovës se ka shumë qarkullim të forcave policore në atë rajon, andaj atë natë e kemi kaluar në një karakoll të ushtrisë shqiptare, por edhe ditën tjetër. Tek natën tjetër kemi marrë armatimin, municionin dhe e kemi kaluar kah Rrasa e Zogut dhe jemi futur në Kosovë. Ka qenë një rrugë e mundimshme, me pesë pushkë automatike, një para, katër në shpinë, rruga ka qenë me borë, dimër, me një rast e kam humbur këpucën, kam mbetur vetëm me një këpucë. Ka qenë një rrugë e gjatë, nëntë orë apo dhjetë, derisa kemi arritur në fshatin Voksh, edhe pse ka qenë e planifikuar të mbërrijmë në Junik.
Çfarë ka ndodhur pastaj?
Gajtani: Kur kemi arritur në Junik ka zbardhur dita, afër fshatit kemi qenë 32 ushtarë të armatosur, por në një pozicion i cili ka qenë problematik për t’u mbrojtur në rast të zbulimit, andaj ka qenë e nevojshme, urgjente, të gjejmë strehim ku mund të strehohemi dhe më në fund disa prej shokëve të cilët kanë qenë nga ajo anë, trokasin në derën e familjes Panxhaj. Aty na kanë pritur djem të rinj, ne strehohemi aty për një kohë të shkurtër, ku të gjithë armatimin e vendosim aty, përkohësisht. Pas një ore ose dy, jemi shpërndarë nëpër familje të ndryshme në Kodrali, Beleg. Unë me Shemsi Zeqirin dhe Xhavit Gubetinin kemi qenë te Tahirajt në fshatin Beleg. Prej aty kemi marrë udhë me autobus dhe jemi shpërndarë nëpër shtëpitë tona…
Cili ka qenë roli i Salih Çekajt në këtë aksion?
Gajtani: Salih Çekaj ka qenë ai që na ka udhëhequr në kalimin tonë prej Shqipërisë në Kosovë. I kemi pasur 50 automatikë me vete, disa kanë bartur automatikët, të tjerët municionin.
Cili ka qenë disponimi gjatë ushtrimeve në Shqipëri, a keni diskutuar për luftën?
Gajtani: Atëbotë ndihej era e luftës. Kemi biseduar, kemi qenë në pritje të formimit të strukturave ushtarake. Ky nuk ka qenë një organizim bash amator, ka pasur oficerë të përfshirë në këtë organizim. Kemi pritur formimin e një hierarkie të mirë ushtarake, është folur edhe gjatë ushtrimeve, por edhe pasi jemi kthyer në Kosovë. Detyra jonë ka qenë të vazhdojmë të formojmë strukturat e tjera, që gradualisht të formohen strukturat ushtarake në rast se shpërthen lufta edhe te ne, e cila ishte e paevitueshme në atë kohë.
Çka ndodhi pastaj?
Gajtani: Së pari është bërë shpërndarja e armatimit. Xhafer Zejna ka qenë si organizator. Ai ka qenë i interesuar që armatimi të shpërndahet nëpër rajone të ndryshme, në Drenicë, në Llap, në Gollak, në të gjitha trevat ku kemi qenë të organizuar. Unë e kam marrë armatimin me Xhavit Zeqirin, Xhavit Gubetinin në fshatin Majac, pastaj ka ndodhur arrestimi, pasi e kemi marrë armatimin dhe kemi filluar përgatitjet e para për organizimin e grupeve të tjera. Armatimin e kemi sjellë nga Majaci në Bardhosh, në shtëpinë e Xhavitit apo të Shemit, s’më kujtohet saktë. Të nesërmen kam shkuar dhe e kam marrë automatikun me karikator, kemi marrë autobusin me Shemin dhe e kam sjellë armën te shtëpia ime, atëherë kur në “Kodrën e Trimave” ka qenë stacioni famëkeq, policët e të cilit i kontrollonin makinat, ndërsa autobusi ka qenë mënyra më e lehtë.
Si ndodhi arrestimi?
Gajtani: Punë shërbimesh…
Na shpjegoni më shumë!
Gajtani: Pasi jemi kthyer nga Shqipëria, disa grupe tashmë kishin filluar aksionet. Në Drenicë patën filluar aksionet e para, Adem Jashari e ka pasur strukturën mirë të organizuar, pastaj andej në Deçan ndoshta edhe infrastruktura ka qenë e tillë që e ka mundësuar më lehtë veprimin, ata kanë qenë më mirë të organizuar sesa ne. Unë kam tentuar ta krijoj një grup në Prishtinë, por ndoshta ka pasur rrjedhje të informacioneve nga Shqipëria, në Shqipëri ka qenë kohë shumë e vështirë, kaotike, edhe atje kanë qenë aktive shumë shërbime të jashtme, gjatë lëvizjeve në Tiranë dhe vizitës në Krujë kemi vërejtur automjete me targa të Beogradit dhe qyteteve të tjera jugosllave. Ne dyshojmë, unë dyshoj se ndonjë informatë ka rrjedhë edhe nga Shqipëria. Ekziston edhe një teori; qëllimi për ta parandaluar hapjen e frontit të dytë që flitej atëherë, pasi ishte fronti në Kroaci, kërkohej të hapej fronti në Kosovë, i cili edhe nuk u hap, por edhe nuk është pranuar nga udhëheqja e atëhershme e Kosovës.
E arrestimi?
Gajtani: Jam arrestuar më 28 dhjetor. Nuk kam qenë në shtëpi, por kam qenë nën vëzhgim dhe pasi jam kthyer në shtëpi më ka rrethuar policia dhe më ka marrë me vete. Pas nja gjysmë ore te shtëpia ime vjen Shemsi Zeqiri për të pyetur mbi fatin tim pasi kishte dëgjuar se është arrestuar Xhavit Gubetini. Babai i tregon se unë sapo isha arrestuar dhe i thotë Shemsiut të largohet. Kemi arritur t’i informojmë të tjerët, kështu që autoritetet serbe nuk kanë arritur të arrestojnë në mënyrë masive grupin tonë. Në ato jemi arrestuar tetë persona, ndërsa nga grupi që kemi qenë në Shqipëri kemi qenë të burgosur unë, Xhavit Gubetini, Sami Tahiraj, Shkëlzen Gjonaj.
Për çka ju akuzonin?
Gajtani: Jam akuzuar për terrorizëm, tentim të shkëputjes së Kosovës nga Serbia, bartje të armatimit pa leje. Pasi na arrestuan ne, kanë tentuar ta arrestojnë edhe Adem Jasharin.
Sa vjet keni qëndruar në burg? Dhe si ka qenë ballafaqimi me gjykatën dhe prokurorinë?
Gajtani: Jam dënuar me 6 vjet burgim, prej tyre i kam mbajtur 4. Jemi dënuar si grup për përgatitje ushtarake në një shtet të huaj, organizim i aktiviteteve terroriste etj. Në gjykatë nuk ka pasur dëshmitarë, prokuroria ka sjellë vetëm disa deklarata.
Ku i keni kaluar vitet e burgut?
Gajtani: Një vit nën hetim në burgun e Prishtinës, pastaj jemi transferuar në Gjurakovc, në burgun e Dubravës. Kemi qenë me fat që ka qenë e ndaluar praktika e dërgimit të të burgosurve në Serbi. Së paku në rastin tonë. Ne të gjithë kemi qenë në burgun e Dubravës, por pastaj i kanë transferuar në burgjet e tjera.
Kur keni dalë nga burgu?
Gajtani: Në dhjetor 1995. Me thënë të drejtën, nuk kam pasur ide si të veproj më tutje, e kam shikuar si ka qenë situata, kam filluar të punojë në arsim, kam dhënë gjuhën angleze, ne takoheshim me shokët që e kemi kaluar burgun. Pas një kohe e kam vërejtur se prapë jam përcjellë vazhdimisht nga pjesëtarët e sigurimit serb, të cilët disa herë më kanë ndalur dhe kanë kërkuar të “bashkëbisedojmë”. Ka qenë një oficer i shërbimit sekret serb, i cili ka qenë në burg në kohën kur kemi qenë edhe ne – gjoja për shkak të konfliktit brenda strukturave policore serbe. Në dy-tri raste ky person më ka ndalur, për shembull te pika e karburantit INA te Rrethi. Për çudi ai punonte aty. Kur e kam informuar Xhafer Zenën për këto përvoja, ai më ka propozuar të largohem nga Kosova. Atëbotë jepja mësim në Janjevë, Shashkovc dhe Kishnicë.
Çfarë ka ndodhur me organizimin e nisur?
Gajtani: Ky organizim është lënë në heshtje. Oficerë si Hajzer Hajzeraj kanë rënë në burg, nuk kam pasur më thirrje për t’u aktivizuar, kam vazhduar të mbaj kontakt me shokët më të afërt.
Po me Sali Çekajn?
Gajtani: Edhe ai është larguar, ka qenë në Gjermani. Shumica e grupit që nuk kanë rënë në burg, kanë qenë diku në perëndim.
Cila është historia e fotografisë që e ke në sfond?
Gajtani: Fotografia është në Surrel, në kazermën ku janë bërë edhe ushtrimet. Aty janë të gjithë ata që kanë qenë në grup.
Në qendër të fotografisë dallohet Adem Jashari…
Gajtani: Ai ka qenë më i dalluari, është treguar gjithmonë aktiv, ka dëshmuar dëshirën që të aftësohemi sa më shumë. Është vënë re edhe trimëria, e ka përçuar atë, dëshirën për më tutje, për luftë, për çlirim. Kemi pasur raste kur kemi pushuar, pas ushtrimeve, dhe kur ia kemi marrë këngës, ka qenë në qendër të vëmendjes, vetvetiu si karakter ka rënë në sy dhe ka qenë në qendër të vëmendjes.