Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i cili e mori besimin vetëm pak ditë më parë, ka lëshuar një kërcënim ndaj Kosovës.
Në një intervistë dhënë medias pro-qeveritare serbe “Novosti”, ai ka thënë se Serbia ka ushtrinë më të fortë në rajon, të gatshme për t’iu kundërpërgjigjur “çdo përpjekje të Kurtit për të nxitur ndonjë pogrom të ri”.
“Ne jemi të vendosur të ruajmë paqen. Stabiliteti dhe paqja janë të nevojshme për ne, sepse janë parakusht për mirëqenien kombëtare. Sot, ushtria jonë është e fuqishme, më e forta në rajon dhe është mjaft e fortë për të zmbrapsur çdo agresor të mundshëm dhe çdo përpjekje të Kurtit për të shkaktuar një pogrom të ri të marsit apo ‘Stuhi’”, ka thënë Vuçeviq në këtë intervistë, transmeton Klankosova.tv.
Duke u ndalur te Kosova, ai tha se Serbia nuk do të heqë dorë kurrë nga “lufta për sovranitetin dhe integritetin tonë”.
“Serbia, e drejtuar nga SNS, kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e shpallur njëanshëm të së ashtuquajturës Kosovë, dhe jam i sigurt se as përpjekja e tyre për të hyrë në Kombet e Bashkuara nuk do të jetë e suksesshme. Lufta nuk është e barabartë, por në fund – ne do të fitojmë”, tha kryeministri serb, Millosh Vuçeviq.