Kundër deputetit të Vetvendosjes, Visar Korenica, është depozituar këto ditë një padi për shpifje.
Si përfaqësues ligjor i ish Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, avokati Faton Fetahu, ka njoftuar se ka dorëzuar padi për shpifje kundër deputetit Korenica, i cili në muajin mars, në një deklaratë për një media online në Kosovë kishte përmendur zotin Veseli se “kishte ndikuar në një projekt në Administratën Tatimore të Kosovës”.
Fetahu ka sqaruar në një postim në Facebook, se i kanë dhënë rast deputetit Korenica përmirësimin e shprehjes shpifëse, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Ky është postimi i plotë i Fetahut:
Si përfaqësues ligjor i ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z.Kadri Veseli, kam dorëzuar këto ditë padi për shpifje kundër deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visa Korenica. I njëjti, në muajin mars të këtij viti, konsumoi një shpifje të pashembullt ndaj z. Veseli, në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të vlerësuar rrethanat e dështimit të një projekti në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës.
Deputeti Korenica këtë deklaratë e kishte dhënë për portalin “Indeksonline” dhe artikulli ishte publikuar me titull: “ATK-ja ‘akshom Pazar’ me pozita, avancohen punëtorët që dëmtuan buxhetin”.
Pas deklaratës publike me përmbajte shpifëse ndaj z. Veseli, sipas ligjit në fuqi, deputetit i kërkuam përmirësimin e shprehjes shpifëse, përkatësisht tërheqjen nga deklarata. Kaluan gjashtë javë dhe deputeti e injoroi kërkesën duke e zgjedhur heshtjen.
Pra, ai e artikuloi këtë shpifje, u sigurua ta publikonte dhe ta shpërndante në medie një deklaratë të tillë të pavërtetë, por nuk e provoi asnjëherë me asnjë fakt të vetëm.
Në këto rrethana, rruga gjyqësore mbeti e paalternativë. Si rezultat, në cilësi të avokatit të z. Kadri Veseli, kam depozituar padinë për shpifje kundër këtij deputeti, i cili në cilësinë e të paditurit do të ketë barrën e provave për të dëshmuar vërtetësinë e deklaratës së tij. Uroj dhe shpresoj që gjykata do ta trajtojë me efektivitet këtë rast gjyqësor duke e konstatuar shpifjen e z. Korenica dhe të njëjtin do ta mbajë përgjegjës për dëmet e shkaktuara, dhe në asnjë mënyrë të parashkruhet lënda, si në të kaluarën në një rast kërcënimi me jetë ndaj zotit Veseli.