Mandatari për krijimin e qeverisë së re në Serbi, Millosh Vuçeviq, ka zbuluar emrat që do të jenë pjesë e kabinetit të tij.
Ai do ta kthejë në qeveri Aleksandër Vulinin, të sanksionuarin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili më parë ka qenë Drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA). Siç raporton Vreme, Vulin do të jetë zëvendëskryeministër në qeverinë e re.
“Nesër Kuvendit të Serbisë për anëtarë të Qeverisë do t’i propozoj këta persona: Sinisha Mali, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Financave, Ivica Daçiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, Irena Vujovic, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Mbrojtjes së Mjedisit dhe Menaxhimit të Ujërave, Goran Vesiq, Ministër i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Dubravka Đedović-Handanović, Ministre e Minierave dhe Energjisë, Tomislav Momiroviq, Ministër i Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme, Maja Popoviq, Ministre e Drejtësisë, Jelena Zhariq-Kovaçeviq, Ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Tomislav Žegmanov, Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Social, Bratislav Gashiq, ministër i Mbrojtjes, Marko Gjuriq, ministër i Punëve të Jashtme, Tanja Miščević, Ministre për Integrime Evropiane, Sllavica Gjukiq-Zljanoviq, Ministre e Arsimit. Zlatibor Lonçar, Ministër i Shëndetësisë, Nemanja Staroviq, Ministër i Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Milica Gjugjeviq-Stankoviq, Ministre për Kujdesin Familjar dhe Demografi. Zoran Gajiq, ministër i Sportit Nikolla Selakoviq, ministër i Kulturës, Milanko Korać, Ministër për Kujdesin Rural, Jelena Begoviq, Ministre e Shkencës, Zhvillimit Teknologjik dhe Inovacionit, Husnija Memic, Ministre e Turizmit dhe Rinisë, Dejan Ristiq, Ministër i Informacionit dhe Telekomunikacionit Darko Glishiq, Ministër për Investime Publike, Novica Tonçev, Gjorgje Miliçeviq, Usame Zukurliq, Nenad Popoviq dhe Tatjana Matsura, ministra pa portofol”, tha Vuçeviq në konferencën për media.
Vulin është futur në listën e sanksioneve amerikane në korrik të vitit të kaluar.
Sipas Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
“Këto marrëveshje korruptive lehtësuan aktivitetin malinj rus në Serbi dhe rajon”.
Sipas njoftimit të Thesarit, Vulin është përfshirë në krim të organizuar transatlantik, në operacionet joligjore narkotike dhe në keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Vulin ka mbajtur raporte që kanë pasur përfitim reciprok me trafikantin e armëve, Sllobodan Teshiq, duke mundësuar që dërgesat me armë të tij të mund të lëvizin lirshëm përtej kufijve të Serbisë”, u tha në njoftim.