Stela Narciso jeton në Sarandë që nga viti 2015, dhe menaxhon një biznes të sajin. Ajo erdhi në qytetin jugor për pushime 9 vjet më parë, dhe që nga ajo kohë vendosi të linte Italinë për një jetë të re.
9 vjet më parë, Stela Narciso, erdhi në vendin tonë, pasi një vajzë shqiptare që takoj rastëaisht i sugjeroi të kalojë pushimet këtu. Por ajo që ndodhi më pas është histori.
“Një vajzë shqiptare që e njoha ne Mykonos më tha pse nuk shkon të vizitosh Sarandën, por 9 vjet më parë nuk ishte kjo Saranda që është sot. Kur erdha këtu u dashurova menjëherë dhe vendosa se dua të hap biznesin tim këtu sepse burri im është picajol dhe ne kemi picerinë tonë në Puglia, dhe donim të sillnim gjithë kulturën tone të ushqimit”, tha ajo për Euroneës Albania.
Fillimet për Stelën dhe të shoqin nuk ishin të lehta, fillimisht me mos njohjen e gjuhës dhe më pas me burokracitë e një biznesi të ri, por që ditën e parë në Sarandë ajo ndjeu aromë shtëpie.
“Ishte e vështirë në fillim se nuk kuptonim gjuhën, nuk ndërvepronim dot me vendasit por me kalimin e kohës të gjithë na ndihmuan me burokracitë ose manualisht dhe çdo gjë shkoi mirë”, tha ajo.
Me Sarandën është dashuruar dhe mendon të rrijë gjate. Miqve të saj ua sugjeron qytetin për biznes dhe për qetësi shpirtërore.
“Ua këshilloj gjithë italianëve që të investojnë në biznes apo në shtëpi, në apartamente sepse Saranda nuk është vetëm një vend për biznes, por është edhe vendi i një qetësie mendore. Këtu humbet sensin e kohës, dhe ne kemi nevojë për këtë që në Itali e kemi jetën intensive, plot orare. Do vazhdoj të rri për shumë vite sepse këtu e ndiej veten si në shtëpi”, tha ajo.
Saranda vit pas viti po tërheq gjithnjë e më shumë të huaj, që jetojnë dhe investojn në biznese me fokus turizmin.