Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën sa i përket vitit 2023.
Hoti ka thënë se raporti është shqetësues për institucionet e Republikës së Kosovës.
Ish-kryeministri tutje ka shtuar se në raport theksohet prezenca e korrupsionit serioz qeveritar, kufizimet e lirisë së shprehjes dhe medias, përfshirë dhunën dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.
Sipas Hotit, një gjë e tillë ka qenë e pritur, pas aferave me ambasadorin Martin Berishaj, rezervat shtetërore dhe aferat korruptive në KEK.
Tutje, Hoti ka thënë se Raporti thekson një të vërtetë të hidhur dhe tregon se s’ka pasur reflektim as nga Qeveria dhe as nga presidentja e shtetit.
Në fund, Hoti thotë se Qeveria Kurti ka tendencë për të imponuar sistem diktatorial, për të kontrolluar qeverinë, gjyqësinë, kuvendin, presidencën dhe mediat.
Reagimi i plotë:
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është shqetësues për institucionet e Republikës së Kosovës.
Raporti thekson për, prezencën e korrupsionit serioz qeveritar, probleme me pavarësinë gjyqësorit dhe me kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve.
Kjo ka qenë e pritur pas aferave, sikur ajo e Ambasadorit Berishaj, me rezerva shtetërore, aferat korruptive në KEK dhe tani me ambalazhuesit e ujit. Në vend që të kërkojnë drejtësi, bartësit e instirucioneve dalin në mbrojtje publikisht ndaj personave të dyshuar.
E kanë bërë normë sulmin ndaj Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurorit të shtetit dhe shantazhimin e kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave.
Raporti i DASH është një e vërtetë e hidhur që e kemi përmendur disa herë. Nuk ka pasur asnjë reflektim nga qeveria dhe më e rëndësishmja nga Presidentja e shtetit, e cila ka mandat kushtetues t’i mbrojë institucionet e pavarura.
Kjo qeveri ka tendencë për të imponuar një sistem diktatorial, në mënyrë që Kryeministri të kontrolloj gjithçka: qeverinë, gjyqësinë, kuvendin, presidencën dhe mediat.