Ia rrëmbyen gjyshërit/Nëna 23-vjeçare flet pas bashkimit me djalin: Çuni është në duar të sigurta!

Ditën e sotme, pas 1 jave i deklaruar i zhdukur, 3-vjeçari është dorëzuar në polici nga gjyshja e tij.

Kjo e fundit ishte shpallur në kërkim nga policia bashkë me vëllain e saj. 3-vjeçari tashmë është bashkuar me nënën e tij dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

23-vjeçarja ka folur pas ribashkimit me djalin, ku e përlotur dhe me djalin në krah, ka dalë nga ambientet e policisë së Durrësit. Ajo ka falenderuar Policinë e Shtetit që i ktheu djalin shëndoshë e mirë dhe mediat që i pati në krah këto ditë.

E pyetur se çfarë do të ndodhë me gjyshërit dhe nëse duhet ato të takojnë fëmijën tani e tutje, ajo ua lë në dorë organeve kompetente.

‘’Çuni është shumë mirë, është në duar të sigurta. Shumë keq e kam përjetuar, por shumë faleminderit Policisë së Shtetit, të gjithëve edhe mediave. Tani po iki në shtëpi’’,-tha 23-vjeçarja.

-Do i lejosh më gjyshërit ta marrin sërish?

Nëna e 3-vjeçarit: E di shteti e di Prokuroria e Gjykata. Shumë faleminderit!