Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj një postimi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri sot, 11 vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi në Bruksel.
Kurti sot tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po insiston në Marrëveshjet e 2013-tës dhe 2015-tës me Thaçin e Mustafën, sepse ajo e 2023-tës sjell njohjen reciproke.
Çitaku është kundërpërgjigjur duke thënë se për “pak oksigjen politik”, Kurti po merret me ish-presidentin Thaçi i cili po bën tri vjet e gjysmë i mbyllur në Hagë.
Ajo thotë se Kurti, i cili sot ka mbushur 1124 ditë si Kryeministër, i dyti më jetëgjatë në vend, do të mbahet mend vetëm si Kryeministri i Autonomisë Politike për serbët e pjesës veriore të Kosovës.
Reagimi i saj i plotë:
Kryeministri Kurti iu paska rikthyer sot përsëri marrëveshjeve të vitit 2013 dhe vitit 2015 – ato që numri dy i partisë së tij, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se janë të mira dhe të dëshiruara.
Gjithsesi, në interes të tij dhe për pak oksigjen ditor politik, ai qenka mundu me u marrë prapë me Presidentin Thaçi, ani pse ai po bën tri vjet e gjysmë i mbyllur në Hagë – në mbrojtje të luftës së shenjtë të popullit tonë për liri.
Është e pabesueshme se si një gjë Kryeministri Kurti nuk e ka kuptuar ende. Që Hashim Thaçi, edhe kundër vullnetit të tij, do të mbahet mend si Kryeminitsri i Pavarësisë së Kosovës.
Ndërkaq, Albin Kurti, i cili sot ka mbushur 1124 ditë si Kryeministër, i dyti më jetëgjatë në vend, do të mbahet mend vetëm si Kryeministri i Autonomisë Politike për serbët e pjesës veriore të Kosovës.
Marrëveshja bazike të cilën ai e ka pranuar vitin e kaluar në Bruksel, i ka humbur njohjen e ndërsjellë Kosovës dhe i ka sjellë një sërë pasojash afatgjate dhe të patjetërsueshme vendit – që tkurrin sovranitetin e shtetit tonë.
Ndërkaq, për këtë pjesën tjetër të qeverisjes, s’kemi çfarë të themi.
Nëse Hashim Thaçi ka ndërtuar autostrada moderne, shkolla, i ka rritur pagat, ka ndërtuar institicuionet dhe ka vënë në binar funksionimin e shtetit – trashëgimia e vetme që do t’i mbetet në CV-në e tij si Kryeministër Albin Kurtit, mbetet Ura tri metra e Saradranit.
Kaq, rreth krahasimit tënd kaq të dëshiruar me Presidentin Thaçi, Kryeministër. E di që po të mungon, meqë po vazhdon ta përmendësh çdo ditë, por duro edhe pak.
Dielli do të lind përsëri.