Komiteti i KiE-së ia rrëzon amendamentet Serbisë që anëtarësimi i Kosovës të lidhet me Asociacionin

Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Evropës i ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet që u propozuan nga delegacioni serb që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili po qëndron atje së bashku me një pjesë tjetër të delegacionit nga Kosova.

“Po janë rrëzuar amendamentet e propozuara nga Serbia nga Komiteti për Politike në KiE”, tha shkurt Gashi.

Nëse Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës të martën, atëherë çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj. /Telegrafi/