Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe një familje sot në Gjilan, ku hajnat kanë bërë kërdi.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur paradite, kur hajnat ia kanë mësyrë shtëpisë së një mërgimtari dhe kanë arritur të futen brenda përmes ballkonit.
Rastin e ka denoncuar pronari i shtëpisë, i cili ka njoftuar Policinë se hajnat ia kanë vjedhur hiç më pak se mbi 142 mijë franga, që në euro i bie mbi 145 mijë euro – para këto që i ka sjellë nga Zvicra pasi erdhi në Kosovë për pushime.
Çantën me para hajnat dyshohet se e morën teksa prindërit e moshuar të viktimës ndodheshin brenda shtëpisë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.