Matjazh Nemec, deputet i Parlamentit Evropian ka thënë për Kosovo online, se vendimi i sotëm i Komisionit të PE’së për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme nënkupton trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
“Siç e dini, nga 1 janari filloi të aplikohet liberalizimi i vizave për ata me pasaportë të Kosovës dhe kjo erdhi pas vitesh vonesë, por ky vendim nuk vlente për serbët nga Kosova. Nga ana tjetër, qytetarët e Serbisë udhëtojnë lirshëm që nga viti 2009 dhe poseduesit e këtyre pasaportave speciale janë përjashtuar nga të dyja vendimet për liberalizimin e vizave si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Ky nuk është vendim politik, por teknik për zgjidhjen e këtij problemi”, thotë Nemec.
Vendimi i sotëm për të mundësuar liberalizimin e vizave për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Serbia u votua me 34 vota për, 7 kundër dhe 12 abstenuan.
“Gjithmonë është kështu dhe kjo temë nuk ishte përjashtim. Duhet të kuptoni se ne kemi nëntë grupe politike nga 27 vende dhe secila ka agjendën e vet politike. Është e vështirë të pritet që të keni mbështetje absolute për ndonjë temë,” thotë Nemec.
I pyetur nëse beson se vendimi do të konfirmohet në seancën e PE në Strasburg (nga 22 deri më 25 prill), Nemec thekson se e vetmja agjendë që ai mbron është që BE të ketë të njëjtin trajtim për të gjithë njerëzit e Ballkanit Perëndimor.
“Nuk na takon neve të mbajmë anë, por të krijojmë një zgjidhje për problemin. Prandaj, ky është një mesazh pozitiv për ne, jo vetëm për njerëzit që nuk janë në gjendje të udhëtojnë, por tregon se institucionet evropiane mund t’i zgjidhin këto çështje. Ne nuk duam të ndërhyjmë në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në asnjë mënyrë, ky ishte një gur i vogël në një mozaik të rëndësishëm të quajtur Ballkani Perëndimor dhe është shumë e rëndësishme që ju të keni të gjithë qytetarët të përfshirë dhe shpresoj se do të marrim mbështetje gjatë seanca e fundit”, thotë Nemec dhe përfundon.
“Grupi im politik mbrojti liberalizimin e vizave për Kosovën dhe ne ishim shumë të lumtur kur ai hyri në fuqi. Nuk mund t’i krahasoj këto dy situata tani, por po flasim për të paktën 18 mijë persona që tani do të përfshihen në liberalizimin e vizave, që është shumë e rëndësishme për ne”, përfundon Nemec.