Drejtori i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Enver Krasniqi, ka thënë se të gjitha pronat e ish nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, që i kanë sekuestruar e konfiskuar, kanë qenë në emër të gruar së Radoiçiqit.
Krasniqi të hënën në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se nuk kanë arritur që të sigurojnë asnjë dokument që vërteton pronësin e Radoiçiqit në pronat e sekuestruara.
“As ne as Policia nuk kemi arritur të sigurojmë ndonjë dokument që e vërteton pronësinë e Radoiçiqit në pronat sekuestruara. Këto prona që janë marrë, janë në pronësi të gruas apo ish-gruas, sepse nuk e di a është ndarë. Vila nuk ka asnjë dokumentacion, është bërë një ndërtim i egër i panjohur të paktën për institucionet tona”, është shprehur Krasniqi.
Ai ka folur për të gjitha pasuritë që janë sekuestruar deri më tani.
“Rasti i fundit është vendimi që ka ardhur për sekuestrimin e paluejtshmërive dhe disa pasurive të luajtshme, i cili vendim i Gjykatës Themelore, Departamenti Special i Prishtinës, është vërtetuar më vendimin e Gjykatës së Apelit, këto kanë të bëjnë me vilën e famshme që përmendet, pastaj me një banesë me penthouse në pjesën veriore të Mitrovicës si dhe një lokal, pastaj në kuadër të tyre janë edhe dy mercedesa dhe një motor dhe disa pajisje të tjera”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka thënë se aksioni i sekuestrimit ka filluar qysh në janar. “Ka ardhur vendimi i gjykatës për sekuestrimin e pasurive, me ç’rast është sekretuar një veturë, një eskavator dhe dy kamionë, të cilët janë pranuar nga Agjencia dhe janë vendosur në ruajte në një depon të sigurt, ky vendim ka qenë më 18 janar. Pastaj ka ardhur një vendim tjetër i cili ka të bëjë me 31 mjete transporti, ka pasur vetura, ka qenë një autoblindë e modifikuar e blinduar, ka pasur motorë, disa eskavatorë dhe mjete të tjera transportit, këto janë konfiskuar në bazë të konfiskimit automatik”, është shprehur Krasniqi, duke shtuar se në përputhje me Ligjin ato i janë dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës.
Ai ka thënë se si Agjenci do të vazhdojnë me menaxhimin e këtyre pasurive të sekuestruara deri në një vendim tjetër të Gjykatës.
Sipas tij Gjykata do të vendos nëse ato do të konfiskohen apo jo.
Krasniqi ka thënë se pronat e sekuestruara dhe të konfiskuara janë bërë vetëm nën dyshimin për veprat penale të terrorizimit dhe nuk ka dyshime të ngritura për korrupsion.
“Janë vetëm për vepra të terrorizimit dhe jo të korrupsionin, pasi të gjitha ato vetura janë të modifikuara, pa librezë të qarkullimit, janë të falsifikuara, për atë arsye edhe janë vlerësuar më ultë sesa vlera reale, sepse dy vetura, dy mercedesa që janë të blinduara ata e kanë vlerën 200-300 mijë euro, është edhe autoblinda e modifikuar, por ne e kemi vlerësuar sipas procedurave tona, nuk kanë librezë, janë të falsifikuar, e kemi vlerësuar vetëm për pjesë”, ka theksuar Krasniqi duke shtuar se sipas ligjit ato ka të drejtë vetëm Policia t’i shfrytëzojë.