Analisti Visar Ymeri ka thënë se e ardhmja politike e veriut të Kosovës nuk po duket që do të jetë pa Listën Serbe.
Kështu u shpreh ai në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për vendimin e Listës Serbe për mospjesëmarrje në zgjedhjet e 21 prillit në katër komunat në veri.
Ymeri ka thënë se pa zgjedhje në veri nuk mund të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
“Kjo është në njërën anë diçka që e ka karakterizuar procesin e dialogut në përgjithësi… qartazi as Serbia nuk është e interesuar për t’i normalizuar marrëdhëniet e as që të vazhdojë procesi i dialogut. Për Vuçiqin, pa u kryer zgjedhjet në SHBA, nuk është i interesuar për procesin e dialogut. E ardhmja politike e veriut nuk po duket që do të jetë pa Listën Serbe. Pa zgjedhje në veri nuk mund të themelohet Asociacioni. Kur ka zgjedhje, trysnia për ta themeluar Asociacionin rritet më shumë”, tha ai.
“Më shumë e shoh si element i zvarritjes së dialogut… Serbisë i konvenon zvarritja sepse shpreson të rikthehet presidenti Trump, dhe me presidentin Trump, Serbia mundet që të ketë një lloj tjetër të dialogut për ta plotësuar një kërkesë tjetër që Vuçiqi e ka më për zemër, të marrë një pjesë të Kosovës. Kemi hyrë në një modus në të cilin do të ketë vetëm menaxhim të krizës deri sa të përfundojnë dy proceset zgjedhore, e para në Evropë dhe e dyta në SHBA. Nuk po më duket që ka hapësirë, kohë e vullnet që të kërkohet të zbatohet marrëveshja sepse po shihet se palët nuk po duan t’i zbatojnë”, shtoi Ymeri.
Ai thekson se palët nuk po duan t’i normalizojnë marrëdhëniet.