Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i ka kërkuar publikisht sqarime Bashkimit Evropian për heshtjen ndaj shkeljeve të marrëveshjes bazike nga Serbia.
Themelimi i grupit nga Beogradi për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Ekzekutivi kosovar e konsideron shkelje edhe të shkronjës, por edhe frymës së marrëveshjes.
Nga Qeveria kanë thënë se BE-ja duhet të tregojë pse nuk po e luan rolin e arbitrit mes palëve.
“Hezitimin e sërishëm të Bashkimit Evropian që të luaj rolin e arbitrit që i takon për marrëveshjen për të cilën jemi dakorduar në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, pikërisht nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më së mirë është ta sqaroj dhe arsyetoj Bashkimi Evropian. Në komunikimet tona të brendshme me ndërmjetësin kemi ngritur shqetësimet për veprimet e Serbisë dhe heshtjen ndërkombëtare ndaj këtyre veprimeve”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.
Në anën tjetër, Ekzekutivi është i bindur se Serbia nuk do të mund ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Në përgjigjen për RTV Dukagjinin thuhet se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po vazhdon me angazhimin intensiv në sigurimin e mbështetjes për votim të suksesshëm më 16 prill në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Por, hezitimi i djeshëm i BE-së që të konstatojë se Serbia po e shkel marrëveshjen bazike po kritikohet edhe nga njohës të procesit të dialogut.
“Mosdeklarimi i tij përnjëmend është element i hipokrizisë por në instancë të fundit është një sinjal që ata e konsiderojnë Kosovën fajtore për zhvillimet dhe për këtë arsye nuk duan që të relativizojnë përgjegjësitë e Kosovës në raport me vështirësitë e shfaqura në dialog”, tha Milazim Krasniqi, profesor universitar.