Kolumnisti serb i reagon Vuçiqit: Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës, ku qëndron problemi?

Dejan Iliq, kolumnisti i OJQ-së me bazë në Beograd “Pescanik”, ka reaguar ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka formuar ekip për parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Iliq, që ësjtë përkrahës i iniciativës “Serbia kundër dhunës”, si mysafir në një emision televiziv të N1, ka pyetut se “cili është problemi që Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës?”.

“Cili është saktësisht problemi? Cili është problemi, ata do të pranohen, sigurisht që do të pranohen, sigurisht që është një vend më vete! Dhe,  çfarë, ju nuk mund të pajtoheni me këtë, tani i ndani zhgënjimet tuaja me ne?”, ka thënë Iliq, transmeton Telegrafi.

 

Me kërkesë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Qeveria e Serbisë ka formuar një ekip për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Por, analistë e politikanë në Serbi vlerësojnë se ky ekip nuk do të arrijë asnjë rezultat dhe se shërben vetëm për konsum të brendshëm në mënyrë që pushteti aktual të “lajë fytyrën” nëse Kosova do të anëtarësohet në këtë organizatë.

Analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, ka vlerësuar se “formimi i ekipit është një ndërmarrje donkishoteske, pra një luftë e vërtetë me mullinjtë e erës”.

“Qeveria e di dhe presidenti e ka pranuar shumë herë që Kosova ka shumicën e nevojshme për hyrje në KiE dhe se kjo nuk do të ndryshojë. Tani formimi i një brigade të veçantë, me forca speciale që duhet ta pengojnë këtë hyrje, është absolutisht një perde tymi për opinionin serb”, thotë Jakshiq, transmeton Telegrafi.