Bytyçi vjen me paralajmërimin e fuqishëm: Nuk po trajnohen 400 ekstremistë serbë – në këtë kohë mund të sulmojnë “ushtarët” e Radoiçiqit!

Së fundi, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, alarmoi se rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen përreth kufirit me Kosovën, teksa shton se nevojitet vetëm një urdhër i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që ata të nisin sulme agresive.

“Rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen në zonat përreth kufirit me Kosovën dhe me një urdhër të Vuçiq mund të aktivizohen në sulme agresive”, ka thënë Sveçla.

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.

close

volume_off

Së pari, tha se është e vërtetë që Serbia po trajnon ekstremistë serbë për të sulmuar Kosovën, por që numri i tyre është më shumë se 400.

“Është e vërtetë se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Zveçla thotë se në territorin e Serbisë e nën kujdesin e shtetit serb po trajnohen 400 ekstremistë për t‘i aktivizuar në sulme agresive kundër Kosovës. Në fakt nuk po trajnohen 400. Nuk trajnon Serbia kundër Kosovës kaq pak ekstremistë. Shteti, ushtria dhe policia e forcat speciale të Serbisë trajnojnë me mijëra ekstremistë e terroristë. Të gjithë këta përgatiten si kontigjent për të sulmuar vendet fqinjë, në kohët e sotme Kosovën. Pse janë me mijëra këta që trajnohen ose që janë trajnuar e të gatshëm për sulm? Sepse politika në Serbi e rrit vazhdimisht numrin e ekstremistëve dhe terroristëve. Sepse shteti, qeveria, institucionet, madje dhe kisha e shumë akademikë mendojnë si terroristë, edhe nëse nuk vrasin njerëz”, deklaroi profesori.

Bytyçi tha se sulmeve terroriste iu paraprinë propaganda e Beogradit, derisa komentoi edhe vizitën e Kurtit në veri.

“Sulmeve terroriste të serbëve të trajnuar po i paraprin propaganda e politikanëve të Serbisë. Le të marrim rastin e vizitës së kryeministrit Kurti në tri komuna në veri të Kosovës. Ai shkoi atje për të dëshmuar se tashmnë ky territor administrohet nga ana e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Dhe është fakt se kryeministri dhe autoritetet e tjera të vendit, veçmas policia, e kanë ndryshuar situatën në komunat e veriut ne favor të plotë të prezencës së institucioneve të vendit. Por çfarë thanë autoritetet e Beogradit? Petkoviç, një politikan që përfaqëson Serbinë në bisedimet e Brukselit, e konsideroi vizitën e Kurtit si shkelje të sovranitetit të Serbisë në veri të Kosovës. Kjo do të thotë se Kurtin ai nuk e njeh për kryeministër të këtij territori. Kjo do të thotë se presidenti i Serbisë dhe qeveria e tij nuk pranojnë që veriu i Kosovës të qeveriset nga qeveria e Kosovës”.

Krahas kësaj, përmendi edhe deklaratët kërcënuese nga Lista Serbe dhe përfaqësuesit e Beogradit, ku kërkoi që ndërkombëtarët të reagojnë ndaj Serbisë dhe jo të tolerohen këto përgatitje të grupeve terroriste.

“Edhe Lista Srpska bëri të njëjtën deklaratë, duke e konsideruar kryeministrin e Kosovës si të huaj për pjesën veriore të territorit të Kosovës. Që do të thotë se Beogradi dhe krerët politikë të serbëve të Kosovës e shohin së paku veriun e Kosovës si territor serb. Derisa tolerohet kjo qasje serbe nga ana e ndërkombëtarëve, atëherë edhe Kosova dhe vetë ndërkombëtarët duhet të përgatiten për të përballuar një agresion terrorist të ekstremistëve serbë, të cilët përgatiten në kampet e Serbisë. Çdo dhunë. Çdo agresion, çdo akt terrorizmi, si ai i Banjskës, gjithmonë paraprihet nga deklarata “legjitimuese” të atyre që i kryejnë këto akte. Deklaratat kundër vizitës së zotit Kurti në veri të Kosovës janë paralajmërim i qartë dhe i kthjellët për akte terroriste dhe sulme të ekstremistëve dhe terroristëve serbë”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, tha se këto trajnimeve të terroristëve serbë po bëhet me ndihmën e Rusisë dhe shërbimet sekrete,

“Ndërkohë mund të them me siguri të plotë se trajnimi i ekstremistëve serbë në territorin e Serbisë për t’i përdorur kundër sovranitetit të Kosovës bëhet në bashkëpunim me qendrën e trajnimit të ushtarakëve dhe spiunëve rusë të ngritur në Nish. Ka vite që kjo qendër funksionon dhe ndërkombëtarët nuk kanë kërkuar mbylljen e saj as pasi Rusia sulmoi ushtarakisht Ukrainën. Në Nish gjenden qindra instruktorë rusë të shërbimit sekret dhe përgatitjes së forcave elite, të gatshme për agresion kundër Kosovës dhe vendeve të tjera fqinjë të Serbisë. Ndërkohë diplomatët perendimorë, pra europianë dhe amerikanë, e trajtojnë Serbinë si një vend normal.

Aq shumë indiferentizëm ka në këtë aspekt, sa do ta kundërshtoja konstatimin tuaj se trajnimi i ekstremistëve serbë është shqetësim për ndërkombëtarët. Sa kohë që këta ndërkombëtarë nuk bëhen merak që në qendër të Ballkanit, Rusia trajnon terroristë serbë, aq kohë duhet të besoj se disa prej ndërkombëtarëve janë të interesuar që Vuçiq të inskenojë sulme të tjera si ato të Banjskës. Them disa ndërkombëtarë, sepse ka nga ata që bashkëpunojnë me qeverinë dhe institucionet ligjzbatuese të Kosovës për t’i parandaluar këto akte terroriste. Falë këtij bashkëpunimi të shteteve mike të Kosovës policia e përballoi me profesionaëlizëm deri në perfeksion aktin terrorist të Banjskës”, potencoi Bytyçi.

Më tej, tha se pas konfiskimit të pronave të Radoiçiqit, atëherë mund ketë akte terroriste të ushtarëve të tij.

Madje, profesori paralajmëroi se mund të ketë organizimi të agresionit provokativ përmes terrorizmit serb, kjo pasi Serbia nuk dëshiron që të mbahen zgjedhjet në komunat veriore.

“Dhe së fundi, dua të them se sekuestrimi i pronave të Milan Radoiçiq mund të shoqërohet me akte terroriste të ushtarëve të tij. Radoiçiq në fakt është ushtar i Aleksandër Vuçiq. Por presidenti i Serbisë kësaj radhe do të thotë se “Radoiçiq ka ngrënë dardha prapa krahëve të tij”! Pra ka vepruar “pa dëshirën” e Vuçiq për shkak të sekuestrimit të vilës, restorantit dhe pronave të tjera të tij. Do të fshihet me këtë akt. Një agresion u hapur ushtarak i Serbisë kundër Kosovës është i pamundur. Provokacione të tipit Banjska përgatiten me shumë dëshirë. Këto provokime synojnë që territori i veriut të merret në administrim nga ana e Serbisë dhe pastaj ndarja e Kosovës të bëhet fakt i kryer.

A do ia arrinë qëllimit? Unë besoj shumë te qeveria, presidentja, sidomos te policia dhe forcat e armatosura të Kosovës. Unë i besoj Vjosa Osmanit kur thotë se Kosova do ta mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të saj. Megjithatë, duhet kujdes. Më 21 prill do të bëhen zgjedhjet në komunat e veriut. Beogradi nuk është i interesuar të bëhen këto zgjedhje, sepse e shohin si kohë të disfavorshme për ta. Prandaj dhe ka mundësi që të organizohet ndonjë agresion provokativ përmes terrorizmit serb. Për këto arsye qeveria nuk duhet të flejë. As policia e forcat e armatosura. Duhen forcuar skalionet e ruajtjes së stabilitetit në veri. Nuk duhen dobësuar ato”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.