Një prej fushave ku më së shumti ka pasur përplasje mes LVV-së dhe LDK-së është ekonomia.
Gjatë së premtes ministri i Financave Hekuran Murati dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku janë ballafaquar në Facebook me shifra.
Abdixhiku, përmes një video-mesazhi, ka thënë se çdo postim i Qeverisë dhe çdo deklarim i tyre është i mbushur me propagandë.
“Merreni për shembull temën e investimeve kapitale ku thonë se janë më të lartat në histori, për të bërë vetën të duken më mirë besoni ose jo i llogarisin edhe investimet e komunave, aty ku ne si LDK kemi rol qeverisës”, ka deklaruar kreu i LDK-së.
Por nuk ka vonuar shumë dhe është kundërpërgjigjur ministri Hekuran Murati.
“Janë çu i madh e i vogël në LDK tash e disa ditë duke dredhë numra e grafikona, vetëm e vetëm që t’a bindin ndokë se rrenat e tyre janë të vërteta”, ka shkruar Murati në reagimin e tij në Facebook.
“Në fakt, kjo çfarë po bën LDK-ja është vetë definicioni i propagandës – që një rrenë duhet të përsëritet mjaftueshëm derisa të fillojë të bëhet e besueshme”, vijon Ministri i Financave.
Ai thotë se për investimet kapitale, të vërtetën e thotë raporti zyrtar financiar, i cili edhe auditohet
– investimet kapitale buxhetore për vitin 2023 janë 561 milionë euro.
“E para, investimet kapitale buxhetore çdoherë llogariten duke përfshirë të gjitha nivelet. Për analiza më të detajuara, mund edhe të bëhet zbërthim në mes të nivelit qendror a lokal, e madje edhe njësi për njësi. Ju mund të bëni çfarëdo zbërthimesh që doni, përderisa e shpalosni saktë se çfarë shifra po prezantoni. Por kushdo që thotë se investimet kapitale buxhetore për vitin 2023 nuk janë 561 milionë euro, po e thotë të pavërtetën”.