Vandalizohen tabelat me emërtime në shqip në veri, u vendosen stikera me shkronja cirilike

Disa tabela me emërtime edhe në gjuhën shqipe në disa vendbanime në veri të vendit, sërish janë vandalizuar. Këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Mbi emrin në gjuhën shqipe, janë vendosur stikera me emrin e vendbanimit të shkuar në alfabetin cirilik.

“Kemi informata që janë vendosur disa stikersa në tabelat e vendbanimeve, një gjë e tillë po ndodh në vazhdimësi”, tha për gazetën online Reporteri.net zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani.

Tabelat e komunikacionit, në të cilat emërtimet e vendbanimeve në veri janë shkruar edhe në gjuhën shqipe, u patën vendosur nga autoritetet e Kosovës më 14 mars.

Edhe atëherë, menjëherë më 15 mars, disa prej tyre ishin ngjyrosur me ngjyrë të zezë.