Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se mbi 40 qytetarë të komunitetit serb nga Komuna e Leposaviqit morën pjesë në një takim me kryeministrin Albin Kurti këtë të mërkurë për të diskutuar për shqetësimet dhe kërkesat e tyre specifike.
Ministri Krasniqi në Debat Plus, gjithashtu ka theksuar se mbi tre mijë qytetarë nga Komuna e Leposaviqit kanë aplikuar për subvencione të ndryshme në fushën e bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë, duke e vlerësuar këtë si një shenjë të rëndësishme se Republika e Kosovës po punon për të ofruar shërbime të nevojshme për qytetarët në veri të vendit.
“Mbi tre mijë qytetarë kanë aplikuar për subvenciom të ndryshëm në fushën e bujqësisë, arsimit, shëndetësisë dhe këto janë shenja të rëndësishem se Republika jonë atje përmes zyrave të kryetarit po ka mundësi. Në takimin me kryeministrin Kurti edhe neve sot, aty ishin mbi 40 pjesëtarë të komuniteti serbë nga Komuna e Leposaviqit, të cilët biseduan hapur për brengat e tyre për kërkesat e tyre specifike sesi edhe qeverisja lokale dhe ajo qendrore mund t’i qëndroj… Kjo tregon për një pasqyrë tjetër të veriut tonë”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndër të tjera, ai ka thënë se siguria në veri të vendit sot është shumë më ndryshe nga më herët.
Krasniqi lidhur me reagimin e Listës Serbe në lidhje me vizitën e kryeministrit Albin Kurti në veri, ka theksuar se tregon pazotësinë e tyre për të menaxhuar situatën politike, duke shtuar se nuk priste asgjë pozitive nga ana e tyre.
Sipas tij, reagimi i Listës Serbe është vetëm një dëshmi e pafuqisë së tyre.
“Reagimet e tyre në këtë moment tregojnë pazotësinë e tyre për të menaxhuar situatën politike. Nuk do të prisja asgjë pozitive nga Lista Serbe, reagimi i tyre është vetëm një reagim që tregon pafuqinë e tyre. E rëndësishme në këtë moment është takimi i kryeministrit më strukturat e Komunës së Leposaviqit, kryesuesin e Kuvendit të komunës, nënkryetaren e komunës, asamblesitët të tjerë por edhe qytetarët që janë të angazhuar në komunën e Lepsoavqit, qytetarë të cilët dëshirojnë të çlirohen nga presionet e Listës Serbe dhe Beogradit de të krijojnë hapësira për qytetaret e tjerë që të përfitojnë shërbime nga komuna.”, ka deklaruar ai.