Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se ka nisur zbatimin e Urdhrit Ndalues lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska.
Ajo ka treguar se zyrtarët e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar në këtë proces kanë përfshirë edhe vilen Milan Radojiçiq.
Në profilin e saj në “Facebook”, Haxhiu ka shkruar se gjithçka do të bëhet në përputhje me Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.
“Ministria e Drejtësisë, përmes zyrtarëve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, kanë nisur zbatimin e Urdhrit Ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska. Agjencia ka filluar identifikimin e pasurive të përmendura në Urdhrin e sipërpërmendur, duke përfshirë edhe vilën e cila konsiderohej të ketë qenë e kryekriminelit, Milan Radojiçiq tek Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok dhe pasuritë e tjera, në përputhje me Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, si dhe me Urdhrin e Gjykatës”, ka shkruar Haxhiu.