Analisti Agim Krasniqi tha se është e rëndësishme mënyra se si ish-ministrja e Greqisë, Bakoyannis i është referuar Kosovës.
Ai tha se tashmë ndonëse Greqia nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës, ajo në letra zyrtare nuk i drejtohet më si një vend, por si një shtet.
Sipas tij kjo është shumë pozitive për shtetin e Kosovës dhe për anëtarësimin e saj në KiE. Ai tha se është optimist për këtë, ndërsa shtoi se nuk i merr shumë parasysh deklaratat e Vuçiçit.
“Janë dy elemente kyçe që do i vlerësoj, e para është raporti që vihen nga ish ministrja e Greqisë që është një mesazh i fuqishëm që situata apo rrethana sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë janë në favor të Kosovës dhe se e dyta në raport flitet për shtet jo më për një vend sepse deri më tani Kosova është përfaqësuar si një vend, ndërsa tani në raport përshkruhet si një shtet.
Këto janë elemente jashtëzakonisht pozitive që do të jetë një refleksion për të gjitha ato shtete të cilat deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën, duke ardhur ky mesazh nga Greqia, jep një refleksion pozitiv drejt unifikimit të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Europës. ”,-tha Krasniqi.