Përdorte nipin 10-vjeçar për lekë, Apeli jep vendimin për Tashën e “Tik-Tokut”

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy personazhet e Tik-Tok, Natasha Rombula dhe djalin e saj Armando Kumaraku.

Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 124/b dhe 22 të Kodit Penal. Policia bën me dije se gjyshja dhe babai i 10-vjeçarit publikonin në Tik Tok video të tij duke përdorur fjalë denigruese dhe banale.

Dyshja nënë e bir njihen për videot  dhe live-t (me fjalë banale) që bëjnë në Tik Tok. Arrestimi i nënë e bir është bërë pas kallëzimit që ish-bashkëshortja e 44-vjeçarit ka bërë në polici.

Shtetasja E. A kallëzoi në dhjetor të 2023 se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social TikTok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale. Menjëherë pas denoncimit policia regjistroi rastin dhe shpalli në kërkim dy TikToker-at të cilët u arrestuan.

Platforma e rrjetit social Tik Tok ka dalë jashtë kontrollit kohët e fundit në vendin tonë. Disa gra dhe vajza kanë shkuar deri në aktin ekstrem të vetëvrasjes për shkak të presionit dhe shantazheve që u janë bërë në Tik Tok.

Njoftimi i Gjykatës së Apelit:

Referuar raportimeve në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë: Më datë 17.12.2023, në Komisariatin e Policisë Kuçovë, ka bërë kallëzim penal shtetësia me iniciale E. A, e cila ka deklaruar se është e divorcuar me shtetasin me iniciali A.K dhe djali i tyre gjatë takimit me babin dhe gjyshen e tij, e ka parë në rrjetin social Tiktok live, duke sharë me fjalë fyese dhe banale në prani të tyre.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, për personat nën hetim shtetasit me iniciale A.K dhe N. R, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit” kryer në bashkëpunim,  parashikuar nga neni 124/b dhe 22  të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, me vendimin nr. 22, datë 22.02.2024, ka vendosur:

1.Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat.

2.Vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit për personat nën hetim A. K dhe N. R.

3.Caktimin si masë sigurimi ndaj personave nën hetim atë të “arrestit në burg”  të parashikuar nga neni 238 të K.Pr. Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve të paraqitura, nga personat nën hetim me iniciale A. K, dhe N. R, të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit dhe caktimin e një mase tjetër sigurimi më të butë..

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 27.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Fatri Islamaj,  vendosi:

-Miratimin e vendimit nr. 22, datë 22.02.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Tiranë, 27.03.2024

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM