Në Këshillin e Sigurisë të OKB-së të hënën, Rusia ka kërkuar që pika e titulluar “kërcënimet ndaj paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” të futej në agjendën e takimit të 25 marsi.
Shtetet e Bashkuara, Franca dhe shtetet e tjera perëndimore kanë abstenuar në votim duke parandaluar futjen në agjendë të diskutimit temën për ndërhyrjen ushtarake 25 vjet më parë të NATO-s ndaj ish-Jugusllavisë.
Ky zhvillim në OKB nga njohësit e sigurisë po vlerësohet si provokim nga Rusia e Serbia për Kosovën.
Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani thotë se Rusia e ka qëllim serioz destabilizimin e veriut.
Ramadani mendon se pas kërkesës se Rusisë në OKB, veprime të këqija janë përgatitur për Kosovën nga këto dy shtete.
Ai thotë se pas kësaj ngjarje vigjilenca e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe NATO-s duhet të jetë e lartë.
“Rusia ka për qëllim serioz që veri i Kosovës të destabilizohet, njëjtë sikur edhe Ballkani. Prandaj, ajo përdorë edhe mjetet diplomatike propaganduese, gjoja ka dashur të diskutojë edhe në KS të OKB-së paraprakisht. Pra, unë besoj se veprime të këqija mund të ketë planifikuar Rusia e Serbia pas kësaj kërkese. Prandaj, vigjilenca e sektorit të sigurisë kosovare dhe e NATO-s duhet të jetë e lartë në vazhdimësi”, u shpreh Ramadani.