Një rast jo fort i zakontë është raportuar të ketë ndodhur së fundmi në Vushtrri, ku një qytetar kërkoi ndihmën e Policisë, pasi iu ‘zhdukën’ mijëra euro nga pazari ditor. Paratë që përfunduan në rrugë dyshohet se dikush i mori dhe tashmë Policia ka nisur hetimet për t’i kapur të dyshuarit, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, një 29-vjeçar ka raportuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer detajet e asaj që kishte ndodhur.
Bazuar në dëshminë e tij, të dhënë në Polici, pasi kishte marrë rreth 37 mijë euro të pazarit ditor nga biznesi i tyre familjar, e kishte lënë qesen te furgoni të shtëpia e tyre.
Sipas të riut, qesen e ka lënë mbi rrotën e furgonit dhe ishte larguar, pa e ditur që vëllai i tij do ta merrte më pas automjetin.