Shumica e të burgosurave në Burgun e Lipjanit, janë duke agjëruar.Muajt ecin e nuk ndalen, por njëri prej tyre është më emocional, veçanërisht në rrethanat në të cilat janë ato.
Është koha e iftarit, dhe gratë në Burgun e Lipjanit, përgjatë korridorit të ftohtë mes qelive presin në radhë që t’u servohet ushqimi.
Nga rreth 40 të dënuara që janë aktualisht aty, shumica prej tyre e agjërojnë Muajin e Ramazanit.
Iftari nëpër dhoma të veçanta është i zymtë, andaj këto të dënuara ia krijojnë sadopak një mjedis familjar vetës, e tavolina nën shoqërinë e njëra- tjetrës ua jep sadopak ndjenjën e shtëpisë.
“Muaji i Ramazanit pavarësisht vendit në të cilin ndodhem ku jena këtu, është atmosferë e mirë për aq sa mundemi me krijua na brenda, edhe pse është mungesa e familjes, sofrës tonë,po ne sic pe shihni edhe vetë ne me shoqëri, e krijojmë edhe një lidhje si familjare”, tha një e dënuar.
E njëjta në këtë ambient po e kalon ramazanin e 12-të e do të kalojë edhe të tjerë, por ky fakt, nuk duket ta ketë ndikuar qëndrimin e saj.
“Duhet njeri me ja krijua vetës një rutinë personale se ajo të ndihmon jo me mbijetua por me jetua shumë lehtë brenda, pra varet prej individit, qysh e percepton qëndrimin e vetë këtu brenda”, tha një e dënuar.
Ajo që u shërben ushqimin shoqeve të burgut është më e re në moshë, dhe edhe ajo agjëron, e një prej pjesëve të rutinës, i duket e pabesueshme.
Për syfyr na zgjojnë oficeret, vjen oficerja na thirrë për syfyr se kam besu që ndodhë, bile kur shkon me thirrë tjetrën, kthehet shikon a je zgjuar se i dhimbsesh a mos ke mbet në gjumë”, tha një e dënuar.
Përderisa thotë se brenda trajtimi i bëhet mirë nga të dënuarat që kanë fëmijë jashtë në moshën e saj, ajo e pret shpejt lirimin.
“Me ndejt me dikë më të madh këtu, mu më mëson shumë, Ramazani është muaji i mëshirës, edhe s’ke nevojë me ja shikua askujt veprat, secila jemi njerëz, të gjithë e kemi bërë një gabim dhe jemi në pendim”, tha një e dënuar.
Në një prej mureve të burgut, qëndron edhe një vakti e Ramazanit, me data të rrumbullakuara për ditët që i kanë agjëruar.
Ato që kanë mbetur nuk janë shumë, krahasuar me numrin e ditëve që ato do t’i gjejë brenda këtij institucioni.