Për zgjedhjet e përgjithshme nacionale në listën për deputet brenda Lëvizjes Vetëvendosje, kreu i saj Albin Kurti, tash e sa kohë po synon dy emra. Ata janë Bekim Hamëz Jashari dhe humanisti Halil Kastrati.
Albin Kurti në mesin e 110 kandidatëve sa duhet të ketë lista e një subjekti politik për të garuar në zgjedhjet nacionale tashmë ia ka venë syrin dy figurave të njohura në vend – humanistit Halil Kastrati dhe ish kryetarit të komunës së Skenderajt, Bekim Jasharin, djalin e Hamëz Jasharit.
Burime të afërta me partinë në pushtet, i kanë thënë Periskopit, se ende nuk ka asgjë zyrtare, por që nisma e shefit të partisë, Albin Kurti, ka gjasa të mëdha të jetësohet. Halil Kastrati dhe Bekim Jashari, janë ende në hamendësime, thotë ky burim, se a do të vendosin të jenë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e përgjithshme.
“Ideja që humanisti Halill Kastrati dhe Bekim Jashari të jenë pjesë e listës zgjedhore të VV’së ka qenë edhe më herët. Vazhdimisht lideri i partisë Albin Kurti e ka menduar këtë dhe vazhdon të insistoj se këto dy figura duhet të jenë në listën e subjektit që udhëheq aktualisht me vendin. E gjitha kjo varet nga Kastrati e Jashari. Ndoshta me Jasharin do ta kemi më lehtë ta bindim për shkak se ai ka qenë pjesë e skenës politike, por të shohim nëse Kastrati do të bindet”, ka thënë një burim i Periskopit i afërt me VV’në.
Periskopi gjatë tërë ditës ka tentuar të marrë një qëndrim nga Halil Kastrati, por në telefonin e tij janë përgjigjur vetëm nga Shoqata “Jetimët e Ballkanit”.
Përderisa nga organizata e Kastratit kanë qenë të qasshëm në telefon, Bekim Jashari gjatë tërë ditës nuk i është përgjigjur telefonatës.
Ndryshe, afërsia mes Albin Kurtit, Halil Kastratit dhe Bekim Jasharit është shumë e dukshme dhe jo e kohëve të fundit.
Duke llogaritur në reputacionin e Familjes Jashari, Kurti nuk e ka fshehur dëshirën për të mbajtur sa më afër këtë familje. Nuk ka lënë rast pa përdorur për të treguar afërsinë më ta. Bile, edhe në aktivitet sportive, siç ishte rasti i udhëtimit në një veturë me djalin e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Lulëzimin, për të ndjekur një lojë të kombëtares së Shqipërisë.
Jashari ishte mbështetur nga partia e Kurtit gjatë zgjedhjeve komunale për kryetar të Skenderajt, por këtë garë e kishte humbur përballë kandidat të PDK’së, Fadil Nura.
Edhe me Halil Kastratin nuk ka munguar përpjekja e Kurtit që të jetë krah tij. Para pak javësh Kastratin e kishte pritur në Kryeministri, ndërsa së voni ishte në një iftar (darka kur përfundon agjërimi ditor gjatë muajit të ramazanit) në Shtëpinë e Të Moshuarve në Suharekë, e ndërtuar nga Fondacioni i Kastratit. Aty u prit nga vet Kastrati.
“E pritem Kryeministrin për Iftar në Shtëpinë tonë”, shkroi Halil Kastrati mes të tjerash për vizitën e Kurtit në shtëpinë e të moshuarve.