Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit Donald Trump dhe një nga figurat më të shquara në politikën amerikane, i ka vënë syrin Ballkanit dhe po planifikon tre projekte transformuese në Shqipëri e Serbi.
Përpjekja e Kushnerit, shkruan The New York Post, në këtë rajon vjen teksa firma e tij e kapitaleve private me bazë në Miami, Affinity Partners, angazhohet në diskutime të avancuara për investime që tejkalojnë 1 miliard dollarë, me shpresën për të riformuar peizazhin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme në Evropën Juglindore.
Ndër projektet ambicioze është shndërrimi i ishullit të Sazanit të Shqipërisë, dikur një bastion ushtarak, në një komunitet luksoz eko-resort.
“Aftësia për të zhvilluar 3 milje vijë bregdetare të bukur dhe një ishull 1400 hektarësh në mes të zemrës së Mesdheut është unike,” tha Kushner për The New York Post. “Uji është blu kristal si Maldivet. Eshtë i bukur. Plazhet janë të pabesueshme dhe ky është vetëm një nga këto vende të veçanta.”, shtoi ai.
Bashkë me miqtë e tij, Ric Grenell, ish-ambasadorin e SHBA-së në Gjermani dhe zhvilluesin e NYC, Asher Abehsera, Kushner është tërhequr nga sektori i turizmit në Shqipëri, i nxitur nga zhvillimi i shpejtë turizmit dhe vlerësimet e ndërkombëtarëve. Veçanërisht, Ksamili i Shqipërisë renditet ndër destinacionet kryesore globale në Airbnb, duke reflektuar daljen e vendit nga e kaluara e tij komuniste për t’u bërë një pikë e nxehtë për turistët të cilët kërkojnë bukuri të virgjëra dhe të paprekura.
Dikur e quajtur “Koreja e Veriut e Evropës”, Shqipëria ka pësuar një evolucion dhe tani krenohet me stabilitetin makroekonomik, një industri turistike në rritje dhe një tërheqje në rritje për investitorët ndërkombëtarë.
Të dhënat nga UNWTO (Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara) nënvizojnë ngjitjen e Shqipërisë si destinacioni turistik me rritjen më të shpejtë në Evropë, duke e pozicionuar atë përkrah Katarit dhe Arabisë Saudite.
Joshja nga Ballkani shtrihet përtej Shqipërisë, pasi Affinity synon një tjetër sipërmarrje në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Këtu, Kushner planifikon të rivitalizojë një zonë historike të mbetur bosh që nga bombardimet e NATO-s në 1999, duke parashikuar një hotel luksoz, hapësira tregtare dhe mbi 1500 rezidenca. Dhe nuk është e vështirë të kuptosh pse Kushner do të donte një copë nga ai byrek.
Një histori e New York Times iu referua Beogradit si “kryeqytetin e ri të koktejit të Evropës”.
“Ekziston edhe rëndësia historike e ndërtesës,” tha Kushner. “Transformimi i saj nga një moment pikëllimi, në një pikë referimi që do të krijojë vende pune dhe të ardhura për qytetin është diçka emocionuese për t’u përfshirë.”