Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka nisur kërkimet në zonën e Dragashit për kërkimin e një gruaje që është raportuar e zhdukur para rreth 40 orësh.
Kërkimet thuhet se kanë nisur në zonën e Dragashit në Prizren, saktësisht në fshatin Bresanë, prej ku edhe është lajmëruar e zhdukur e moshuara.
Lidhur me zhdukjen e saj sot ka raportuar edhe Policia e Kosovës, ndërsa mbrëmë në orët e vona kishte reaguar kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini.
“Te dashur bashkëvendës të fshatit Bresanë dhe fshatrave përreth. Një grua e moshuar ka humbur dhe, deri më tani nuk është gjendur. Apeloj tek të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të dalin në kërkim të saj. Edhe pse është natë dhe Ramazan, është më se njerëzore që t’i ndihmojmë familjes së Sejdi Reshitit”, thuhet mes tjerash në apelin e kryetarit Xheladini.
Një kërkim tjetër është nisur qysh në orët e para të mëngjesit nga fshatarët e zonës të cilët ishin lajmëruar përmes njoftimeve në Facebook.
“Ajo është larguar nga shtëpia në drejtim të panjohur dhe pa lënë asnjë gjurmë. E zhdukura është me probleme shëndetësore dhe, sipas familjarëve, është larguar këmbëzbathur. Gruaja e zhdukur është bashkëshortja e Sejdi Reshitit, nga lagjja “Duraj” e fshatit Bresanë. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë hyrë në ndonjë bodrum të ndonjë shtëpie në afërsi. Andaj, luteni që të kontrolloni nëpër shtëpi ose dikush që posedon kamera t’i kontrollojë ato brenda kësaj kohe. Për çdo informatë luteni të telefononi në numrin: 044606566 – Daut Reshiti”, thuhet në njoftim.
72-vjeçarja është raportuar e zhdukur në orët e para të mëngjesit të së hënës.