Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se nuk ka marrëveshje për dinarin në Kosovë, sepse nga Serbia po kërkohet që të heqë valutën e saj “në territorin e saj”.
Për dialogun e ardhshëm në Bruksel Vuçiq, paraprakisht ka thënë se nuk ka asnjë pritje.
“Ajo çfarë kam thënë është diçka me pasoja të mëdha dhe për këtë do të flas më hollësisht të premten. Nuk ka marrëveshje për çështjen e dinarit, ata po kërkojnë që ne të pajtohemi që të heqim valutën tonë në territorin tonë. Ne këtë nuk duam”, ka thënë Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit lidhur me marrëveshjen e Brukselit dhe ekzistimin e ndonjë progresi sa i përket statusit të dinarit në Kosovë.
Vuçiq ka thënë se evropianët mund ta bëjnë këtë me forcë, së bashku me Kosovën, por se Serbia “do të gjejë një mënyrë” për t’i dhënë para popullit të saj.
“Nuk ka problem, ne do të luftojmë, njerëzit tanë do të luftojnë, por ju nuk do të mund të thoni se me këtë jemi pajtuar”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se kjo ndryshon të gjithë lojën në të ardhmen.
“Vetëm po pres të shoh këtë rreth Këshillit të Evropës dhe atëherë ata do të duhet të përballen me atë se unë do t’i zbuloj gjithë botës se si dhe në çfarë mënyrash e gënjyen dhe mashtruan Serbinë dhe çfarë bënë kundër Serbisë, jo ata nga Prishtina, por këta nga perëndimi që u paraqitën si ndërmjetës të ndershëm”, si zakonisht “kërcënon” Vuçiqi, për konsum të brendshëm.
Me rastin e diskutimit të ardhshëm në Këshillin e Evropës për pranimin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organ, Vuçiq ka thënë se “do të jetë interesante”, por që të premten, kur të kthehet nga Brukseli, do të flasë për gjithçka.
“Do të paraqesë të dhënat për gjëra të ndryshme, shumica do të habiten, si në fushën e korrupsionit dhe krimit, por edhe në integrimet evropiane, situatën në marrëdhëniet me Kosovën, për gjithçka që po ndodh në Republikën Serbe, e çka ka të bëjë me popullin serb. Po përgatitem për të premten”, ka thënë Vuçiqi në përgjigje të pyetjes së një gazetari për të komentuar debatin e ardhshëm në Këshillin e Evropës.
Lidhur me shkrimin e gazetës boshnjake “Sllobodna Bosnja” se ai e ka dorëzuar Kosovën, Vuçiq ka thënë se “vetëm mund të thotë se ata nuk e kanë dëgjuar me vëmendje atë që ka thënë”.