Nëna e të miturit të vrarë, A.M., Selvete Muja ka thënë se djali i saj ende e ka të vendosur lulen në bankën e shkollës.
“Shko në shkollë, e ke hala bankën me lule… Qysh i doket ktijna m’ja vra djalin për bukë të gojës”, ka thënë e dëmtuara Muja që i ishin vrarë djali 15-vjeçar dhe burri në shkurt të 2022-ës.
Këto deklarata Muja i ka dhënë të premten në Gjykatën e Apelit ku është mbajtur seanca përmes të cilës palët në procedurë kanë paraqitur pretendimet e tyre lidhur me çështje kur Xhafer dhe Amir Bardhi po akuzohen për vrasjen e babë e bir, B.M dhe A.M.
Gjykatës Themelore në Prishtinë në tetor 2023 kishte dënuar me burgim të përjetshëm Xhafer Bardhin kurse djalin e tij, Amir Bardhin e kishte liruar nga akuza. Aty kishte konstatuar se pa mëdyshje është vërtetuar se pas mosmarrëveshjes pronësore lidhur me prerjen e malit i akuzuari Xhafer Bardhi e ka privuar nga jeta A.M dhe pas plagëve kishte vdekur edhe B.M në QKUK. Pas shpalljes së aktgjykimi kishte pasur reagime nga pala e dëmtuar.