Ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier, në bashkëbisedimin e tij me gazetar, ku ka qenë pjesë edhe Gazeta Express, në pjesë të ndryshme të përgjigjeve të tij ka folur për raportin në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, çështje kjo që është riaktualizuar pas vendimit për dinarin.
Hovenier ka thënë se SHBA-ja gjithmonë ka qenë me popullin e Kosovës, është aktualisht dhe se do të mbetet gjithmonë. Ai i është rikthyer deklaratës së tij të dhënë në bashkëbisedim me gazetarët, se kjo nuk nënkupton që çdo qeveri mund të marrë përkrahjen amerikane për secilën zgjedhje që bën.
Ambasadori amerikan ka thënë se SHBA-ja e përkrah një vendim kur e sheh që i njëjti është në linjë me vizionin e SHBA-së dhe se Uashingtoni është kritik në momentin kur e sheh që një zgjedhje e Qeverisë është kundër objektivave amerikane.
“Dua të them diçka që e thashë më herët, por edhe Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara si kurrë më parë ndaj popullit të Kosovës. Ne kemi qenë me popullin e Kosovës që nga fillimi, jemi me popullin e Kosovës tani. Dhe ne do të jemi me popullin e Kosovës. Tani, ne jemi me ta, siç thashë, në kuadrin e vizionit tonë, të cilin besojmë se ndahet në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e këtij vendi, të një shteti sovran, demokratik, multietnik në të cilin të gjithë qytetarët jetojnë në kushte paqeje dhe sigurie. Kështu mbetet. Dhe kështu, dhe ne nuk do të tërhiqemi nga ai angazhim apo partneritet ndaj njerëzve. Siç e kam thënë edhe më parë, edhe pse kjo nuk do të thotë se çdo qeveri e Kosovës do të ketë mbështetje për zgjedhjet që ata bëjnë, në masën që zgjedhjet e tyre përputhen me atë vizion, ne do t’i mbështesim ato. Në masën që ne besojmë se këto zgjedhje i ulin ose i pengojnë ato objektiva, ne do të jemi kritikë”, ka thënë Hovenier.
Ai ka thënë se nuk dëshiron të hyj në specifika dhe në atë se çfarë saktësisht SHBA-ja do të bëjë, duke theksuar se mund të flasë vetëm për faktin se një partneritet i degraduar ka pasoja dhe implikime.
“Specifikat se si do të ndodh kjo dhe çfarë saktësisht do të bëjmë. Siç e kam thënë disa herë, nuk është koha për të hyrë në ato specifika, mund të flas vetëm për faktin se një partneritet i degraduar ka pasoja dhe implikime”, ka përfunduar Hovenier.