Arkivi Shqiptar sjell faktin interesant në lidhje me atë që është quajtur “Abetarja e parë në gjuhën shqipe”.
Ku u shkruajt dhe kush ishin autorët? Por jo vetëm kaq. Kujt iu dhurua më së pari?
“Si sot, më 27 shkurt 1879, u botua në Stamboll ‘Alfabetarja e gjuhës shqipe’.
Ky botim u bë i mundur në sajë të nismës së Sami Frashërit, të Jani Vretos e të Pashko Vasës. ‘Alfabetarja e gjuhës shqipe’ nuk përfaqëson një abetare tipike, pasi përfshin një sërë shkrimesh me natyrë didaktike, me autorësinë e nismëtarëve. Në mbrujtjen e saj bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë (vëllezërit Frashëri), katolikë (Vasa) dhe ortodoksë (Vreto), të cilët u prinë nga ideali i atdhedashurisë.
Kjo vepër me vlera të larmishme, është themelehedhëse e procesit ripërtëritës dhe ripërcaktues të gjuhësisë shqiptare. Alfabetarja iu dhurua Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili dinte të fliste shqip”, shkruan Arkivi Shtetëror. /tesheshi.com/