Gabimi i Kurtit sipas Vllasit: Njëherë po turret, e pastaj po zmbrapset

Çështja e dinarit ka përfunduar në tryezën e bisedimeve Kosovë – Serbi në Bruksel. Në takim kanë marrë pjesë ekspertë financiar nga të dyja shtetet, por pa rezultat.

Analisti politik, Azem Vllasi mendon se çështja e dinarit nuk është dashur të ngritët në nivel të problemit politik në mes të dy vendeve.

Në emisionin ‘Raport’ në Kanal10, Vllasi e ka vlerësuar si të gabuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj shumë çështjeve në raport me Serbinë.

Sipas tij, Kurti fillimisht po turret, pastaj po zmbrapset.

“Ai po turret njëherë, tani po zmbrapset. U turr për çështjen e targave derisa u ngritën tensionet, pastaj u zmbraps duke e shtyrë afatin. Tash kemi sërish një zmbrapsje pasi e kanë shtyrë afatin e zbatimit të vendimit. Kurti në fund të janarit tha që kanë marrë vendim për ndalimin e dinarit dhe ai vendim do të zbatohet prej 1 shkurti, e tash kemi shtyrje të afatit për tre muaj”, ka thënë Vllasi.

Tutje Vllasi ka shtuar se kryeministri Kurti duhet të jetë partner me i besueshëm në raport me aleatet e vendit, e sidomos më Amerikën.