Me gjithë pasuritë e mëdha natyrore dhe vitalitetit të popullsisë, në trojet e banuara me shqiptarë të pushtuara nga Serbia, mbretëronte një prapambeturi. Ndryshe nga popujt tjerë të Mbretërisë Jugosllave, shqiptarëve u mohohej çdo e drejtë kulturore, demokratike dhe njerëzore. Shqiptarëve jo vetëm që u mohohej shkollimi në gjuhën amtare, por atyre u bëheshin pengesa të llojllojshme për t’u shkolluar edhe në gjuhën serbe. Në vitin 1939-1940, në Kosovë, nga 37,885 nxënës të shkollave fillore, vetëm 11,876 ishin shqiptarë, kurse në gjimnaze numri i nxënësve ishte jo më tepër se dy për qind e të gjithë nxënësve. Mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën serbe e malazeze. Në këto rrethana, mbi 90 për qind e popullsisë shqiptare ishte analfabete.
Në Sanxhak situata ishte edhe më e rëndë për boshnjakët e sidomos për shqiptarët të cilët luftonin në mënyra të ndryshme kundër asimilimit. Deri në fund të viteve të ’80 të shekullit të kaluar, nuk kishim analiza, shkrime apo të dhëna të sakta për gjendjen dhe pozitën e popullsisë së Sanxhakut. Ndër të parët dhe të rrallët është autori Avdia Avdiq, i cili u mor me këtë problematikë.
“Për arsimin, kulturën dhe shëndetësinë në periudhën në me të dy luftërave botërore, është vështirë të flitet, posaçërisht nga viti 1930 kur popullata pothuajse tërësisht ishte analfabete. Sanxhaku ka qenë i njohur jo vetëm si regjion i pazhvilluar, por edhe për prapambeturin në aspektin kulturor dhe arsimor. Në fshatra të tëra nuk ka pasur kush të lexojë ndonjë shkresë, për çka është dashur të udhëtohet me orë të tëra. Novi Pazari ishte qyteti më i madh në Jugosllavinë e atëhershme për nga numri i analfabetëve. Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 1931, 60 për qind e meshkujve të moshës mbi 10-vjeçare ishte e paarsimuar, ndërsa ajo e femrave ishte 92 për qind. Duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për popullsinë e përgjithshme. Pjesa dërrmuese ishte popullsi fshatare, e cila jetonte në kushte të vështira. Dallimet e mëdha ishin edhe sipas qyteteve, p. sh., te qarku i Tutinit që ishte i banuar vetëm me shqiptarë dhe boshnjakë, shkalla e analfabetizmit ishte 89 për qind, ndërsa ai i Novi Pazarit 63 për qind. Posaçërisht në Sanxhak, popullsia myslimane (shqiptare dhe boshnjake) ishte e tëra pothuajse analfabete. Ishte rast i rrallë që ndonjë myslimane të jetë e arsimuar. Faktorët e gjendjes së tillë ishin të shumëfishtë, nga ai se popullsia myslimane nuk ka dashur ta pranojë shkrim-leximin serb, ndërsa të vetin nuk e kishin, deri te ajo se myslimanëve nuk u duhet kjo, posaçërisht femrave myslimane”, ka shkruar Avdiq.
Në tërë Sanxhakun në vitin 1931 kanë ekzistuar vetëm 127 shkolla fillore katër-klasëshe. Shkollat kryesisht ishin në vendbanime të mëdha, ndërsa fshatrat malore, sidomos ato të Peshterit, ishin pothuajse pa asnjë shkollë, prandaj popullata kishte mbetur e paarsimuar. Në tërë Sanxhakun ekzistonin katër gjimnaze katërvjeçare (gjimnazi i ulët), të cilat herë punonin e herë ishin të mbyllur. Novi Pazari kishte vetëm një gjimnaz të ulët tetëvjeçar që zbret në katërvjeçar, kështu që vetëm Plevle kishte një gjimnaz tetëvjeçar në tërë Sanxhakun.
Shkollat ishin me numër të vogël të nxënësve. Prindërit nuk ishin të interesuar t’i shkollojnë fëmijët e tyre. Posaçërisht popullsia myslimane nuk i dërgonte vajzat në shkollë. Kjo gjë u shkonte për shtati pushtetarëve të atëhershëm. Njerëzit me ndikim, posaçërisht në Peshter, edhe pas viti 1935 kanë lutur deputetin e vet që në trevat e tyre mos të hapen shkolla.
Sa më larg shkollave dhe kulturës së pushtuesit, aq më mirë për popullin, ishte bindja e popullatës myslimane (shqiptare e boshnjake). Por, edhe ata që kishin dëshirë t’i shkollonin fëmijët e tyre, nuk kanë pasur mundësi materiale.
Një pjesë e fëmijëve shqiptarë ndiqte mësimet në shkollat fetare (mejtepe dhe medrese) që organizoheshin kryesisht nëpër xhami. Në këto shkolla me lokale të papërshtatshme, mësimin e zhvillonin kryesisht hoxhallarë të pakualifikuar në gjuhë të huaj dhe me metoda mesjetare. Por, kishte raste kur hoxhallarët përparimtarë, me vetëdije të lartë kombëtare, ua mësonin nxënësve të tyre shkrimin e leximin në gjuhën amtare.
Të vetmet institucione shkollore të e mesme ku zhvillohej kuadri fetar-mysliman, ishin dy medresetë e Shkupit: Medreseja e mbretit Aleksandër dhe Medreseja Gazi Isa Beg. E para ishte shtetërore dhe kuadri i saj arsimor ishte më i ngritur, kurse e dyta ishte shkollë fetare e bashkësisë islame. Nga këto institucione shkollore, krahas kuadrit fetar, doli një plejadë patriotësh, demokrate intelektualë, luftëtarë të denjë për çlirim e bashkim kombëtar, ndër edhe Esad Mekuli, Hivzi Sylejmani etj.
Lëvizja Kombëtare në Kosovë, në Sanxhak e në vise tjera shqiptare gjatë vitet 1925- 1941, u zhvillua në dy etapa kryesore. Etapa e parë përfshinte vitet 1925-28 dhe e dyta vitet 1929-1941.
Edhe pse Komiteti “Mbrojtja e Kombëtare e Kosovës” pushoi veprimtarinë e vet, edhe pse u likuiduan zonat e lira dhe u ndërpre veprimtaria e Xhemijetit, lëvizja për çlirim e bashkim kombëtar vazhdoi kryesisht përmes luftës së armatosur të çetave kaçake dhe formave tjera të qëndresës. Çetat kaçake zhvilluan aksione të armatosura kundër ushtrisë e xhandarmërisë gati në të gjitha trojet shqiptare.
Pas viti 1928, intensiteti i luftës së armatosur ra. Megjithatë, edhe gjatë etapës së dytë të lëvizjes, lufta vazhdoi në forma specifike, si p. sh. qëndresa e herëpashershme e çetave të vogla kaçake të cilat gjenin strehim edhe në Shqipëri. Në këtë etapë u zhvillua një veprimtari edhe për të organizuar e bashkërenduar lëvizjen ndërmjet ish-anëtarëve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, të Xhemijetit dhe atyre të emigracionit politik. Të parët zhvilluan propagandë dhe veprimtari ilegale dhe legale nëpërmjet memorandumeve e protestave të deputetëve shqiptarë kundër arbitraritetit të organeve agrare dhe kundër shpërnguljes, kurse të dytët, në krye me Hasan Prishtinën, u angazhuan për të dërguar memorandume ku kërkohej ndërprerja e dhunës, terrorit dhe gjenocidit mbi shqiptarët e boshnjakët.
Gjatë viteve ’30 të shekullit të kaluar, kundër arbitraritetit e dhunës shtetërore pati revolta spontane individuale dhe kolektive. Gjatë kësaj periudhe pati gjithashtu aksione të armatosura të çetave të vogla kaçake. Nga fundi i viteve 1930 u paraqiten kërkesat që krahas zgjidhjes së çështjes kroate, të zgjidhet edhe çështja shqiptare, të paktën në kuadrin e një autonomie edhe pse aspiratë kryesore mbetej bashkimi me Shqipërinë. Në këtë periudhë u krijuan shoqata e organizata të ndryshme ilegale, si ato me emrat “Kosmet”, “Besa” etj.
Një nga format e veprimtarisë ilegale ishte edhe shpërndarja e afisheve në gjuhën shqipe, me anë të të cilave rinia dhe studentët shqiptarë dënonin zbatimin e reformës agrare dhe kolonizimin, si dhe i bënin thirrje popullit shqiptar që të mos i braktisin trojet e veta. Fshatarët shqiptarë kundërshtuan me forcë gati të gjitha aksionet për mbledhjen e armëve që ndërmori Beogradi në trojet shqiptare .
Përveç kësaj, Sanxhaku ishte një mjedis multietnik, multifetar dhe multikulturor, mjedis i ngarkuar me konflikte të trashëguara nga e kaluara. Në të vërtetë, vrasjet e ndërsjella ndërmjet serbëve dhe myslimanëve u ndërprenë vetëm në vitin 1929, kur çeta e fundit kaçake u dëbua nga kjo pjesë e Serbisë, por raste sporadike të aktiviteteve të tyre ka pasur deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore.