Dy avokatët Gent dhe Blend Gjini, që përfaqësojnë shoferin që ka aksidentuar Hajrush Behlulin, kanë bërë një deklaratë për Telegrafin duke thënë se konfiskimi i telefonit celular të klientit të tyre është bërë pa bazë ligjore dhe kjo është një shkelje e procedurave penale.
Ata shprehin se do të ngritin ankesë për këtë veprim dhe do të kërkojnë sqarim për rastin.
Sipas tyre, vepra penale për të cilën akuzohet klienti i tyre është shkaktimi i aksidentit në komunikacion dhe nuk ka lidhje me përmbajtjen e telefonit.
Ata gjithashtu shtojnë se ky është një rast i paprecedent dhe as ligji as praktika gjyqësore nuk e parashikojnë një situatë të tillë.
“Me të marrur çështjen penale ne jemi befasuar me një situatë që konsiderojmë se shkel dispozitat procedurale penale, në rastin e trajtimit të kësaj çështjeje, kur të mbrojturit tonë i është konfiskuar telefoni mobil e që në anën tjetër vepra penale bën fjalë per shkaktim te aksidentit në komunikacion. T’i merret telefoni dhe t’i konfiskohet përkohësisht, kjo për neve mbrojtjen është e papranuar dhe është joligjore”, thanë avokatët në një përgjigje me shkrim.
“Në procedurat e mëtejme presim që këtë çështje ta ngrisim ne formë të ankesës për të vlerësuar se a është vepruar drejt dhe a ka pasur të drejtë të i merret telefoni celuluar shkaktuesit të aksidentit dhe të kuptohet se çka ka të bëjë çështja e aksidentit me telefon. Pra, ky është rast i paprecedent dhe kur më parë në çështjet penale që kemi përfaqësuar raste të aksidenteve në trafik ligji dhe praktika gjyqësore nuk e parasheh një mundësi të tillë”, thuhet tutje në përgjigjen e avokatëve.
Avokatët thonë se klienti i tyre nuk kishte kurrfarë motivi për shkaktimin e këtij aksidenti.
Gent dhe Blend Gjini mendojnë se disa analistë aluduan pa asnjë argument apo fakt se gjoja aksidenti ishte i qëllimshëm.
“Pasi kjo çështje është përfolur në media dhe është trajtuar si temë nga me të ndryshmet duke e ndërlidhur rastin e një fjalimi te hoxhës Shefqet Krasniqi për kengëtaren Shkurte Fejza, në shprehim shqetësimet nga disa analistë që kanë ndërlidhur dhe shfrytëzuar ngjarjen e aksidentit si diçka e qëllimshme. Pra, kjo për neve avokatëve është shqetesim në vete dhe kjo aspak nuk qëndron sepse ngjarja si e tillë nga shkakutuesi i aksidentit ka qenë e paqëllimshme dhe pa kurfarë motivi dhe thjeshtë ka qenë një pakujdesi si ngjarje të zakonshme që ndodhin sot në komunkiacion. Andaj ne shprehim shqetësimet për menyrën e trajtimit të kesaj ngjarje nga disa analistë vetëm e vetëm për ta vendosur qendrën e vëmendjes dhe të luajnë rolin e “hetuesit” pa qenë të thirrur dhe pa pasur asnjë argument apo fakt lëshojnë këso deklarata të pamatura”, thuhet në përgjigjen e avokatëve.
Avokatët thonë se “do të shikojmë në procedurat e mëtejme penale për zbardhjen e rastit, për të kuptuar se në çfarë përmasash mund të jetë fajtor i mbrojturi ynë”.
Ata thonë se do të mësojnë faktin “se a ka qenë i pakujdessëm këmbësori kur ka dalur në rrugë”, pasi shtojnë se “aty nuk ka pasur vendkalim për këmbësorë apo zebra”.