Ballkani Perëndimor është një “fuçi baruti”. Shumë ekspertë kanë dhënë alarmin se Rusia po e përdor Serbinë si satelit të saj për të destabilizuar Ballkanin. Mjafton një shkëndijë dhe shpërthen konflikti i armatosur mes Serbisë dhe Kosovës.
Por, Komandanti i trupave paqeruajtëse amerikane në Kosovë u shpreh ditën e djeshme se forcat e vendit të tij janë të pajisura dhe të gatshme për të parandaluar çdo dhunë në veriun e Kosovës. NATO ka përforcuar praninë e saj në Kosovë me 1,000 trupa të tjerë pas dhunës që shpërtheu shtatorin e kaluar, gjatë së cilës një polic u vra në një shkëmbim zjarri midis policisë së Kosovës dhe personave të armatosur që hynë nga Serbia.
Disa nga ushtarët amerikanë janë të vendosur në kampin ‘Nothing Hill’ afër qytetit të Leposaviqit, në veri të Kosovës dhe patrullojnë rrugët që lidhin Kosovën me Serbinë. “Ne jemi të gatshëm të reagojmë ndaj çdo gjëje dhe jemi të përgatitur mirë, të trajnuar mirë dhe të pajisur për të reaguar ndaj çdo gjëje që mund të ndodhë këtu. Unë jam i sigurt për këtë”, thotë Koloneli Ross Walker, Komandant i trupave amerikane në Kosovë. Ushtarët amerikanë parkojnë kamionët e tyre të bardhë, që nuk janë të blinduar, afër kufirit me Serbinë dhe më pas ecin pranë hekurave metalike që deri vonë mbanin tabela që sinjalizonin vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se çelësi për këtë është dialogu paqësor. Edhe pse jemi të gatshëm të reagojmë ndaj çdo gjëje, dëshira jonë është që t’i bëjmë gjithmonë gjërat përmes një dialogu kundër çdo lloj dhune”, thotë Koloneli amerikan, Ross Walker.
“Ne vijmë këtu mjaft shpesh. Nuk mund të flas për ndonjë hollësi për atë që kemi, ose nuk kemi parë, por nëse vërejmë diçka, informacioni u kalohet organeve të rendit vendas”, thotë Togeri i ushtrisë amerikane në Kosovë, Mcveigh.
NATO është përforcuar në Kosovë me 1,000 trupa shtesë pas dhunës që shpërtheu shtatorin e kaluar, gjatë së cilës një polic u vra në një shkëmbim zjarri midis policisë së Kosovës dhe personave të armatosur që hynë nga Serbia. Diplomatët perëndimorë dhe disa analistë paralajmërojnë se tensionet më të fundit rreth vendimit të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb mund të nxisin më tej tensionet në veri.
Paralajmërimi për luftë
Sipas “Fox News” duke ju referuar një zyrtari të lartë amerikan, edhe vizita e Blinken në Shqipëri erdhi pasi në Ballkanin e tensionuar pritet të ketë një konflikt të madh muajt në vijim. “Fox News” shkruan se presidenti rus Vladimir Putin dhe ai serb Aleksandar Vuçiç kanë në pikëpyetje Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. “Shtetet e Bashkuara me shumë gjasa e dinë këtë”, pretendon diplomati, gjë që shpjegon pse ka grumbullime të aseteve ushtarake dhe shitjen e pajisjeve ushtarake për Kosovën.
“Rreziku i përshkallëzimit të tensioneve etnike në një konflikt aktual në Ballkan po rritet. Rusia dhe Serbia, asnjëra prej të cilave nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duket se janë të përfshira në nxitjen e destabilitetit në rajon”, u shpreh Rebekah Koffler, një ish-analiste e inteligjencës së mbrojtjes për “Fox News”.
Teksa Blinken, me vizitën e tij, riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, kjo është një periudhë e vështirë për rajonin dhe shumë vëzhgues në rajon besojnë se rajoni është edhe një herë një kuti e zezë gati për t’u ndezur, shkruan më tej media amerikane. Rusia ka qenë veçanërisht aktive në Malin e Zi, ku Moska synonte të minonte ofertën e vendit të vogël për t’u bashkuar me NATO-n dhe për t’u afruar me Evropën. “Ky mund të jetë fillimi i përpjekjeve konkrete për të frenuar Serbinë, dhe rrjedhimisht ndikimin rus, në Ballkan duke mbështetur aleatët e pambrojtur të NATO-s dhe duke kundërshtuar operacionet dezinformuese ruso-serbe në Bosnje dhe Kosovë”, tha diplomati për Fox News Digital, duke folur për vizitën e zyrtarit të lartë amerikan.