Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka dërguar telegram urimi në adresë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të përvjetorit të 16 të pavarësisë, raporton Gazeta Sinjali.
Në letrën dërguar Osmanit, Steinmeier ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm dhe ka tejkaluar me sukses sfida të mëdha, ku ka përmendur ndër të tjera edhe pozicionimin e Kosovës për luftën në Ukrainë.
“Që nga pavarësia, para 16 vjetësh Kosova ka shënuar progres të konsidrueshëm dhe ka tejkaluar me sukses sfida të mëdha. Përkushtimi Juaj i qartë për vlerat demokratike, pikërisht edhe pas nisjes së luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, e nënvizon vendin e Kosovës në bashkësinë e vlerave evropiane”, thuhet në letrën e presidentit gjerman.
Steinmeier s’ka lënë pa përmendur edhe detyrat e Kosovës, me theks të veçantë në forcën e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Ai ka theksuar se progresi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, është vendimtar për të ardhmen e Kosovës dhe mbarë Ballkanin Perëndimor.
“Vendi Juaj gjendet para detyrave të mëdha: Forcimi i sundimit të ligjit, sikurse edhe lufta kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar mbeten thelbësore për ta forcuar më tej ekonominë dhe përshpejtuar përafrimin me Bashkimin Evropian. Progresi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është gjithashtu vendimtar për të ardhmen e Kosovës dhe mbarë Ballkanit Perëndimor. Unë i gëzohem sukseseve të arritura rishtaz, si marrëveshja për njohjen e tabelave të automjeteve dhe zgjidhja e mosmarrëveshjes së energjisë”, thuhet më tej në telegramin e Steinmeier.
Presidenti gjerman ka bërë me dije se Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm dhe i fuqishëm i Kosovës edhe në të ardhmen dhe se do ta mbështet Kosovën me aq sa mundet në hapat e tjerë drejt një të ardhme paqësore, evropiane.